Berisha me gazetarët: Edi Rama, i gatshëm të përdorë pseudoopozitën për qëllimet e veta

Nga A2 CNN
13 Tetor 2023, 10:44 | Politikë
Berisha me gazetarët: Edi Rama, i gatshëm të përdorë

Kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Sali Berisha, ka dalë këtë të premte në konferencën e përjavshme me gazetarët, ku u shpreh, kryeministri Rama i bëri atentat parlamentarizmit dje, opozita do shqyrtojë situatën dhe do dalë me konkluzionet e saj.

“Tani njerëzisht do u kërkoja që komentet e tjera për këtë ndeshje, t’ia lëmë specialistëve. Ne të vazhdojmë tani me problemet tona të mëdha, të cilat janë atentati që Edi Rama i bëri parlamentarizmit, pikërisht në ditën e ekzekutimit të opozitës shqiptare në vitet ‘46. Pikërisht atë ditë zgjodhi të votojë në mënyrë totalitare, të votojë në mënyrën më antidemokratike, për t’i emëruar opozitës përfaqësuesin që ai do.

Me këtë akt të shëmtuar, Edi Rama pasi ka grabitur dhe plaçkitur qindra, mijëra vota, tregon se edhe ata 620 mijë që votuan kundër tij, është i gatshëm të shkelmojë mbi votat e tyre dhe të mos përfaqësitë e këtyre votave në parlament. Është i gatshëm të përdorë pseudoopozitën për qëllimet e veta dhe është i vendosur të bëjë gjithçka për një sistem qeverisje të bazuar mbi bandat, drogën dhe krimin.

Opozita, në ditët në vazhdim, do të shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në parlament dhe do të dalë me konkluzionet e saj. Ajo çka fakton dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm, se Edi Rama nuk pajtohet me pluralizmin politik të vërtetë në Shqipëri.

Pluralizmi politik i vërtetë është ai që ushtrohet në parlament, dhe ai dje mori përsipër emërimin e përfaqësuesit të partive opozitare sepse zoti Oerd Bylykbashi është zgjedhur nga PD, por edhe nga partitë e tjera opozitare kanë dhënë dakordësinë e tyre të plotë si një nga ekspertët më të shquar të të drejtës elektorale. Por kjo nuk i intereson, i intereson pengu i tij Brava me Alibashën.”

Samiti i Berlinit/ Berisha: Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat

“Nuk kemi parashikuar protestë ditën e samitit, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën. Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat, në të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve anëtare të OSBE, BE dhe Këshillit të Europës.

Libri është dërguar kapitull për kapitull online ODIHR-it dhe ne jemi shumë të kënaqur me raportin objektiv profesional që ata kanë publikuar.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos