OKB paralajmëron katastrofë në Rripin e Gazës: Izraeli të tërheqë urdhrin e evakuimit!

Nga A2 CNN
13 Tetor 2023, 09:53 | Bota
OKB paralajmëron katastrofë në Rripin e Gazës: Izraeli

Mëngjesin e kësaj të premte, Izraeli u ka kërkuar më shumë se një milion palestinezëve që të lëvizin në jug të Gazës, pasi një aksion ushtarak nga toka ku pritet të angazhohen mbi 170.000 ushtarë, pritet të nisë në orët në vijim për të finalizuar ofensivën që do të çonte në shfarosjen e Hamasit.

Jerusalemi zyrtar vazhdon të lëvizë forcat drejt kufirit përpara nisjes së ofensivës tokësore, ndërsa në Gaza civilët po i drejtohen pjesës jugore të Rripit, me një marshim që aktualisht ka shënuar radhë prej 10 kilometrash.

Ata që nuk kanë mjete transporti vazhdojnë në këmbë me bagazhet e tyre rrugën për të shpëtuar kokat, ndërsa në mbrojtje u kanë ardhur Kombet e Bashkuara.

OKB në një deklaratë të lëshuar së fundmi i “tërheq veshin” Izraelit, duke thënë se është “e pamundur” që 1.1 milionë palestinezë të zhvendosen në jug të Gazës në 24 orët e ardhshme.

Zyrtarët e OKB-së në Gaza u informuan nga oficerët e tyre ndërlidhës në ushtrinë izraelite se e gjithë popullsia e Gazës në veri të Wadi Gazës duhet të zhvendoset në Gazën jugore, brenda 24 orëve të ardhshme. Kjo do të thotë se zhvendosen afërsisht 1.1 milionë njerëz, ose gati gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë që jeton në Gaza“, tha zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric në një deklaratë në Nju-Jork.

Dujarric shtoi se OKB-ja e konsideron të pamundur që një lëvizje e tillë të ndodhë pa pasoja shkatërruese humanitare.

OKB-ja apelon që urdhri të anulohet për të shmangur atë që mund të transformojë tragjedinë aktuale në një situatë katastrofike.

Qëndrimi kritik i OKB-së ndaj urdhrit të evakuimit, erdhi pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kjo po ndodh për sigurinë e banorëve të Gazës.

Hamasi sakaq e ka cilësuar paralajmërimin “propagandë të rreme” dhe u ka kërkuar palestinezëve “të mos bien pre e tij”.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni