Presidenti i KE apel Serbisë e Kosovës, Michel: Mos lini fantazmat e së shkuarës t’ju prishin të ardhmen!

Nga A2 CNN
16 Tetor 2023, 10:51 | Politikë
Presidenti i KE apel Serbisë e Kosovës, Michel: Mos lini fantazmat e

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në fjalën e tij në Samitin e Berlinit që këtë vit po i mban punimet në Tiranë, u fokusua në tre çështje kryesore në fjalën e tij. Së pari, ai u ndal te rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, për të cilën tha se, puna e bërë dhe rrugëtimi i këtyre vendeve ka qenë tepër i ngadaltë, megjithatë ai theksoi nevojën e bashkëpunimit për ta çuar përpara procesin e integrimit.

Së dyti, ai u ndal te lufta e Rusisë në Ukrainë, që sipas Michel e ka përqendruar politikën e tyre te gjeopolitika e zgjerimit, duke kërkuar më shumë se kurrë bashkëpunim dhe qëndrim krah për krah për të mbështetur Ukrainën.

Ai u ndal gjithashtu edhe në atë që ndodhi në veri të Kosovës, duke kërkuar që si Serbia edhe Kosova të mos mbahen peng i fantazmave të së kaluarës, por kërkoi nga të dyja palët më shumë fokus tek e ardhmja.

“Rrugëtimi juaj ka nisur më shumë se 20 vite më parë në Ballkanin Perëndimor, megjithatë rruga juaj ka qenë shumë e ngadaltë. Na duhet të bëjmë shumë që të jemi gati. Ju duhet të ndërmerrni reformat e nevojshme për t’ia arritur objektivit dhe ne nga ana tjetër duhet të jemi gati për t’u zgjeruar.  

E di që keni pritur për një kohë të gjatë dhe e keni krahasuar veten me një nuse, e cila po pret dhëndrin që nuk po vjen në dasmë. Ne po përgatitemi për këtë dasmë. Kjo kërkon përfundimin e të gjitha reformave që keni përpara.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka përqendruar politikën tonë te gjeopolitika e zgjerimit. Asnjëherë më shumë se kurrë nuk duhet të rrimë krah për krah për të mbështetur Ukrainën.

Ju e keni bërë objektivin tuaj për anëtarësimin në BE, të qartë si kristali. Ky integrim mund të ndodhë në fusha të ndryshme, sidomos në tregun e përbashkët sa i takon bashkëpunimit ekonomik.

Së dyti, edhe përfundimi, realizimi i tregut të përbashkët rajonal, do ta nxisë këtë lloj integrimi dhe një marrëveshje e re për njohjen e kualifikimeve do të nënshkruhet sot.

Së treti, nuk mund të lëmë konfliktet dypalëshe të na mbajnë peng, zgjidhja e tyre mund të jetë më i dhimbshëm se reformat, por duhet bërë. Mos lini fantazmat e së shkuarës t’ju prishin të ardhmen. Ajo që po ndodh mes Kosovës dhe Serbisë e dëshmon këtë. Duhet fokus tek e ardhmja. Kjo do të jetë fryma e Samitit me Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet në Bruksel.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos