Rama: S’duam një datë, do bëjmë detyrat tona! S’kërkojmë rrugë preferenciale për integrimin në BE

Nga A2 CNN
17 Tetor 2023, 09:58 | Politikë
Rama: S’duam një datë, do bëjmë detyrat tona!

Brenda vitit 2030, Ballkani Perëndimor do të integrohet në Bashkimin Europian, është afati i vendosur nga Europa, mirëpo kryeministri Edi Rama nuk është dakord. Ai thotë se Shqipëria nuk ka nevojë për një datë, por do duhet të përfundojë detyrat e saj me sukses, pa kërkuar një rrugë preferenciale, përkundrejt shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Shqipërisë nuk i intereson një datë, sepse çdo datë do të mbetet një tjetër takim i parealizuar për mënyrën sesi funksionon Europa, ne nuk e bëjmë këtë proces për të bindur BE-në, por për të ndryshuar përfundimisht historinë e vendit tonë, për të ndryshuar rrugën e së ardhmes së gjeneratave të tjera dhe për ta bërë të pathyeshme Europën e Ballkanit, që të mos bjerë pre e tundimeve të tjera sepse do të ndihet mirë, dhe prandaj na duhet që detyrat e shtëpisë t’i kryejmë mirë, pa kërkuar korsi preferenciale, por paralelisht bashkimi i Evropës do duhet të ndodhë”, tha Rama.

Ai shprehu edhe kritika për Këshillin Europian.

Këshilli Europian është si një familje ku prindërit, gjyshërit, fëmijët janë në të njëjtën tryezë dhe kanë të drejtë që të marrin vendime, në cilën shtëpi ndodh kjo? Ndërkohë që Europa përballet me fuqi të mëdha që kanë një kapacitet imediat vendimmarrës, si mund ta përballojë Europa, ky është një problem që duhet zgjidhur nga vetë ata”, u shpreh kreu i qeverisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos