Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me presidentin francez, Emmanuel Macron, ka vlerësuar rolin e tij në Ballkanin perëndimor. Rama tha se procesi i integrimit në Bashkimin Europian, nuk do duhet të pengojë ribashkimin e Europës.
Për rrjedhojë, kreu i qeverisë shqiptare tha se në këtë drejtim Macron ka një rol mjaft të rëndësishëm.
“Vizitë për të thelluar më tej marrëdhënien mes Francës dhe Shqipërisë, që kanë njohur një zhvillim të papritur dhe të shumëpritur në vitet e fundit si rezultat i një riangazhimi të Francës në rajon përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të presidentit në kërkim të një marrëdhënieje shumë më konkrete dhe produktive për BE-në dhe Ballkanin perëndimor, një marrëdhënie që duhet të tejkalojë procesin tradicional të BE-së dhe që të jetë në gjendje t’u japë vendeve mundësinë e Bashkimit Europian, pa rënë në kurthin e traditës së procesit të integrimit që në këndvështrimin tim, por jo vetëm, duhet të vazhdojë në meritë, por jo të shndërrohet në ankth dhe pasiguri”, tha Rama.
Rama tha se është shumë i lumtur për këtë vizitë të Macron në Tiranë, duke vënë theksin se marrëdhëniet mes 2 vendeve janë shumë të mira.
Ndërkohë, më herët palët kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje. Më konkretisht, marrëveshja për “Udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës”, Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjellë midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit, Marrëveshje bashkëpunimi nëpërmjet Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare për Kinemanë e Francës, si edhe u firmos edhe një deklaratë qëllimi mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Francës, në lidhje me forcimin e bashkëpunimit policor në fushën balistike. (A2 Televizion)