Vlerësime maksimale nga ekspertët e futbollit italian dhe çmimi si “Lojtari më i mirë i ndeshjes”. Etrit Berisha ishte një nga protagonistët kryesorë në fitoren 2-0 që Empoli regjistroi në Firence, ndaj Fiorentinës.
Gardiani shqiptar, me pritjet e tij, shkëlqeu në fushë duke mbajtur portën e paprekur. Caputo dhe Gyasi shënuan në secilën pjesë dhe siguruan 3 pikë me vlerë për skuadrën e Empolit. Vëmendje të veçantë mori dhe gardiani kuqezi që në përfundim të ndeshjes u vlerësua me notën 9, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushën e blertë.
Etrit Berisha po kalon një formë të shkëlqyer, duke u kthyer në një protagonist dhe titullar absolut me Empolin. Këtë nuk po e tregon vetëm në Itali, por edhe në ndeshjet me kombëtaren shqiptare që me reflekset e tij ka mbajtur portën e paprekur ndaj dy kundërshtarëve më të fortë në grup, Polonisë dhe Çekisë. (A2 Televizion)