I riu i armatosur po kërkonte të vriste një 24- vjeçar në Elbasan, por hedh armën dhe i shpëton policisë

Nga A2 CNN
26 Maj 2023, 13:29 | Kronikë

Policia e Elbasanit ka parandaluar një ngjarje të dyshuar kriminale, ku ishte i përfshirë një 23-vjeçar që dyshohet se do të kryente një vrasje. Sipas Policisë, i riu po kërkonte një shtetas me precedent kriminal, për shkak të një konflikti të mëparshëm ndërmjet tyre, por falë ndërhyrjes në kohë nuk mundi të kryente vrasjen.

Ai hodhi armën e zjarrit në rrugë dhe u largua për t’i shpëtuar efektivëve, ndërsa vijon kontrolli i zonës për lokalizimin dhe kapjen e tij. Policia ka shpallur në kërkim edhe një shtetas tjetër, të dyshuar si bashkëpunëtor të 23-vjeçarit për kryerjen e kësaj vrasjeje.

Ndërkohë, në pranga ra një 41-vjeçar që kishte lidhje shoqërore me 23-vjeçarin, pasi iu gjetën në banesë drogë, armë dhe municion luftarak.

Policia ka sekuestruar 2 armë zjarri (1 kallashnikov dhe 1 PMSH), municion luftarak, lëndë narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë. 

Njoftimi i Policisë

Strukturat hetimore dhe operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Elbasan, falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas i pajisur me armë zjarri, kërkonte të vriste një 24-vjeçar të dënuar 2 herë më parë, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve (me të cilin ishte konfliktuar para disa ditësh), kanë organizuar menjëherë punën për parandalimin e kësaj ngjarjeje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Plani”, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në qytetin e Elbasanit, me qëllim parandalimin e kësaj ngjarjeje, si dhe për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit që dyshohet se kishte planifikuar të kryente vrasjen.

Shtetasi B. R., 23 vjeç, banues në Elbasan, në pamundësi për të realizuar planin e tij, si rezultat i presionit policor në terren, në lagjen “Qemal Stafa”, në rrugën “Tomorr Sinani”, ka hedhur armën e zjarrit në rrugë dhe është larguar. 23-vjeçari është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Shërbimet e Policisë, në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B. B., 41 vjeç, banues në Elbasan, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri automatik PMSH, municion luftarak, rreth 300 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një radio si të Policisë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. B., si dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. R., 23 vjeç dhe K. S., 22 vjeç (22-vjeçari i dyshuar bashkëpunëtor i shtetasit B. R. për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale).

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijonë hetimet e thelluara, me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024