
Pavarësia
Shqipëria festoi të hënën 110-vjetorin e Pavarësisë nga Perandoria Osmane. Përveç ceremonive të zakonshme shtetërore, mbrëmja e 28-nëntorit u mbyll me një koncert madhështor në Sheshin Skënderbej të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa, e cila ditë më parë mori edhe pasaportën shqiptare. Në një konferencë për mediat para koncertit, ylli i muzikës tha se të gjithë shqiptarët e famshëm në botë duhet të luftojnë për të ndryshuar stigmën ndaj bashkëkombësve të tyre.
Detajet e shpalljes së Pavarësisë dhe rolin e dinastisë Vlora në këtë moment kulmor të historisë së shqiptarëve, i dha në “Dita jonë” në A2 CNN, osmanologu Rezart Mezani.
Samiti historik
Të martën zhvillohet në Tiranë Samiti historik i Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe në të do të marrin pjesë të gjithë liderët e shteteve të BE-së, dhe ata të Ballkanit Perëndimor. Pas tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, lidhur me emërimin e qeverisë në Prishtinë të ministrit serb Nenad Rashiç, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se nuk do vijë në Tiranë.
Po atë ditë, opozita ka paralajmëruar një protestë kombëtare, para selisë së Kryeministrisë. Autoritetet kanë refuzuar mbajtjen e saj në këtë vend, për shkak se ndodhet brenda perimetrit të sigurisë së Samitit. Por Sali Berisha dhe Ilir Meta deri tani nuk janë tërhequr nga vendimi për ta zhvilluar protestën aty.
Të gjitha lajmet e fundit nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor: https://bit.ly/3B5Yh4w
Ekonomi
Megjithëse është vendi më bujqësor në Europë, i dyti për nga burimet hidrike pas Norvegjisë, me naftë të bollshme në nëntokë, Shqipëria ka varësi shumë të lartë nga importi. Shqipëria është e varur nga importi nga thuajse çdo shtet në kontinentin europian, dhe sidomos me Turqinë. (Lexo të plotë)
Kupa e Botës zhvendos vëmendjen e gjithë globit tek futbolli. Por gjithashtu është koha e artë për një bastexhi, në kërkim të fitimit të shpejtë apo thjesht të një emocioni më shumë kur shikon ndeshjet. Në vendin tonë, teksa pritet ende projekt-ligji për rikthimin e basteve online, shqiptarët po luajnë fshehurazi miliona euro. (Lexo të plotë)
Bota
Papa Françesku dhe Rusia debatuan në distancë për shkak të komenteve të Atit të Shenjtë mbi brutalitetin dhe mizorinë e pakicave etnike joruse, si pjesë e trupave që Moska ka përdorur për të pushtuar Ukrainën. Papa quajti çeçenët dhe burjatët (një minoritet mongol në Rusi) si trupat më gjakatare që po luftojnë në Ukrainë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, mbrojti përbërjen multietnike të Rusisë, duke shkruar në kanalin e saj në Telegram: “Ne jemi një familje me brujatët, çeçenët dhe përfaqësuesit e tjerë të shtetit tonë me shumë kombe dhe shumë besime fetare. Të gjithë bashkë me siguri që do të lutemi për Selinë e Shenjtë, secili në mënyrën e vet”.
Të gjitha lajmet nga lufta në Ukrainë i gjeni në: https://bit.ly/3izDYpV
Sport
Kupa e Botës 2022 rezervoi këtë javë disa rezultate surprizë. Në mbyllje të fazës së grupeve, Gjermania dhe Belgjika i dhanë lamtumirën e parakoheshme kompeticionit, pasi nuk arritën të kualifikoheshin më tej.
Me interes të madh u ndoq në vendin tonë sfida mes Serbisë dhe Zvicrës, të fituar nga këta të fundit, që u kualifikuan më tej në një grup ku ishte edhe Brazili. Ndeshja u shënua nga një gol i shkëlqyer i futbollistit me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri, dhe një sherr masiv i lojtarëve serb, me shqiptarin tjetër në skuadrën e Zvicrës, Granit Xhaka.
Të gjitha lajmet e fundit nga Kupa e Botës i gjeni në: https://a2cnn.com/boterori/
Çmimi i karburanteve
Nafta, 209 lekë/litri
Benzina, 187 lekë/litri
Gazi, 71 lekë/litri (A2 Televizion)
Bordi i Transparencës, 3 dhjetor 2022