A e dini se duart tona peshojnë më shumë sesa e mendojmë?

Nga A2 CNN
10 Gusht 2023, 16:48 | Lifestyle
A e dini se duart tona peshojnë më shumë sesa e mendojmë?

Duart tona peshojnë dy herë më shumë sesa mendojmë. Kjo konfirmohet nga një studim i kryer nga Birkbeck, Universiteti i Londrës në Mbretërinë e Bashkuar dhe i botuar në “Current Biology, i cili përfshiu 20 të rritur dhe zbuloi se, në pushim”, duart tona duken shumë më të rënda se sa janë në të vërtetë.

Arsyet pse ne përgjithësisht mendojmë se duart tona janë kaq të lehta nuk janë plotësisht të qarta, por Denise Cadete, një nga autoret, hipotezon se është një mekanizëm i vendosur nga sistemi ynë nervor për të lehtësuar lëvizjen. Si provë që në fakt është një mashtrim i mendjes, mjafton të mendoni se shpesh pacientët të cilëve u janë vendosur proteza ankohen për peshën e tepërt, kur në realitet këto janë edhe më të lehta se duart e vërteta. Sipas Cadete, nëse shkencëtarët mund të bindin pacientët se protezat janë pjesë e trupit të tyre, ata do të jenë në gjendje t'i perceptojnë ato si më të lehta, ashtu siç bëjmë ne të gjithë me duart tona.

Studiuesit u kërkuan 20 pjesëmarrësve të relaksonin krahun e tyre të majtë në një mbështetëse, fillimisht duke e lënë dorën të varej lirshëm, më pas duke e mbështetur atë dhe duke vendosur një peshë në kyçin e dorës. Gjatë gjithë kohëzgjatjes së eksperimentit, vullnetarët nuk mund të shihnin duart e tyre apo peshat.

Studiuesit më pas pyetën secilin pjesëmarrës nëse ndjenin se dora ose pesha e tyre ishte më e lehtë. Mesatarisht, vullnetarët i caktuan një peshë prej 200 gramësh për dorën e tyre, kundrejt 400 gramëve realë, duke nënvlerësuar peshën e saj reale me 49.4%.

Në një pjesë të dytë të eksperimentit, studiuesit hetuan nëse perceptimi i njerëzve mund të ndryshohej nga lodhja. Ata më pas përsëritën testin tek vullnetarët, duke u kërkuar atyre të shtrydhnin një dinamometër portativ, që zakonisht përdoret për të matur forcën, disa herë për dhjetë minuta. Pas aktivitetit, pjesëmarrësit nënvlerësuan peshën e dorës së lodhur me vetëm 29%, duke treguar se sa më shumë të punojmë me duar, aq më të rëndë ndihen ato. Një mekanizëm që ndoshta shërben për të na lënë të pushojmë pas një aktiviteti të rëndë.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni