Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, reagoi për herë të parë në lidhje me aksionin e Policisë së Shtetit në kampin e MEK.
Në një konferencë shtypi, Kim tha: “Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka disa kushte të caktuara që zbatohen për çdo mysafir në vendin tuaj dhe mysafirët duhet t’i respektojnë ato”.
Kur u pyet nëse Shqipëria duhet t’i largojë muxhahedinët, Yuri Kim nënvizoi: “Është një vendim që i përket qeverisë shqiptare”.
Të martën, forcat e policisë hasën me rezistencën e iranianëve brenda në kamp, ndërsa një prej efektivëve u lëndua dhe mori trajtim mjekësor. Urdhri për kontrolle u lëshua nga gjykata pas dyshimeve për terrorizëm dhe sulme kibernetike. Aksioni, i cili u drejtua nga kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, hasi në rezistencën e muxhahedinëve, të cilët kundërshtuan forcat blu në zbatimin e ligjit, ndërsa në mbyllje të kontrolleve arritën të largojnë nga kampi efektivët.
Mes tensioneve, muxhahedinët ngritën pretendime se policia ka vrarë një anëtar të komunitetit të tyre, i moshës 68-vjeçare. Anëtarë të MEK i treguan mediave dhe trupin e tij të pajetë që, sipas mjekëve muxhahedinë humbi jetën nga përdorimi i spray-t lotsjellës. Për ngjarjen, mbërritën dhe ekspertë të mjekësisë ligjore, të cilët pritet të përcaktojnë shkakun e vdekjes. (A2 Televizion)