
Shumë i qetë dhe i buzëqeshur u shfaq në seancën e parë të Gjykatës Speciale në Hagë. Rexhep Selimi, ish-anëtari i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u njoh me të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Atij iu kërkua që të bënte dhe një vetëdeklarim: “Zakonisht, e deklaroj atë që e ndjej: deklarohem i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.”
Avokati i tij mbrojtës kërkoi gjykimin e Selimit në gjendje të lirë dhe nënvizoi se nuk ka asnjë tregues që klienti i tij të ndikojë te dëshmitarët apo në asgjësimin e provave.
Ish-anëtari i UÇK-së kërkoi fjalën për të treguar luftën për liri. Kritika pati edhe për ngritjen e Gjykatës Speciale.
Selimi në kohën e luftës ka udhëhequr Drejtorinë e Operacioneve. Ai udhëtoi më 5 nëntor për në Hagë, ndërsa një ditë më vonë hetuesit e prokurorisë speciale dhe EULEX i kontrolluan shtëpinë. (A2 Televizion)