1.2 mln euro dëm buxhetit, arrestohet sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave

Nga A2 CNN
11 Janar 2023, 17:09 | Kronikë
1.2 mln euro dëm buxhetit, arrestohet sekretari i përgjithshëm i

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave Arlind Gjokutaj, së bashku me drejtorin juridik të këtij dikasteri dhe një përmbarues u arrestuan pasi kanë shpërdoruar detyrën. Sipas prokurorisë arrestimet erdhën pas një hetimi të hapur ndaj një personi i cili u kompensua për privatizimin e një ndërmarrjeje shtetërore pavarësisht se ishte paguar dhe herë tjetër. Në njoftimin e prokurorisë së Tiranës thuhet se shuma prej 50 milionë lekësh që iu kalua Ilir Thanës edhe ky i arrestuar, vlerësohet si një vjedhje në Buxhetin e Shtetit.

Thana mendohet se u ndihmua për mashtrimin nga drejtori juridik i Ministrisë së Financave Fatmir Hoxhaj dhe përmbaruesi Alban Ruli të dy të prangosur.

Sipas provave të Prokurorisë, të arrestuarit së bashku me sekretarin e përgjithshëm kanë vepruar duke pranuar shpërblimin e Ilir Thanës në vlerën e rreth 82 milionë lekëve, nga te cilat 50 milionë të kaluara në llogarinë e tij duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave më herët ne vitin 2015.

Pavarësisht se ishte dëmshpërblyer Thana i është drejtuar zyrës përmbarimore të Rulit, e cila në kundërshtim me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej rreth 146 milionë lekësh duke trajtuar si ish-pronar Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.

Sipas prokurorisë e gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë të arrestuarit është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në vlerën e 1.2 milionë eurove.

NJOFTIMI PËR SHTYP I PROKURORISË PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË

Dyshime për mashtrim dhe shpërdorim detyre, Prokuroria Tiranë sekuestron 22.000.000 lekë, një i ndaluar

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 8586/2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 320 të K.Penal.

Nga aktet e këtij procedimi, deri në këtë fazë të hetimeve rezulton se:

Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin e saj nr. 16, datë 14.07.2000 ka vendosur: “Urdhërohet zgjidhja e pasojave për konstatimin e pavlefshmërisë së kontratës së shitjes datë 23.04.1992 të lidhur mes shitësave Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe A.K Privatizimit dhe blerësit I.Th, duke i kthyer palët në gjendjen e mëparshme, ku objekti magazinë nr.2 i kthehet Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar dhe kjo e fundit së bashku me AKP-në t’i kthejë bleresit I.Th vlerën e objekteve të blera (magazine dhe truall) që është 103.046 lekë të konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve në kohën e ekzekutimit të vendimit”.

Ministria e Financave  dhe Ekonimisë ka ekzekutuar vendimin nr.9150 datë 12.11.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, duke shlyer detyrimin e plotë ndaj kreditorit I.Th sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Në zbatim të vendimit të mësipërm, nga Ministria e Financave është transferuar në llogaritë në llogaritë e I.Th vlera prej 284.139 me urdhër shpenzimi nr.90 datë 27.02.2015.

Më tej, rezulton se shtetasi I. Th është drejtuar zyrës përmbarimore, e cila në kundërshtim flagrant me ligjin  ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar shtetasin I. Th në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.

E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë këtij shtetasi është e përcaktuar në kundërshtim me ligjin dhe cenon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro.

 Deri në këtë fazë rezulton se Ministria e Financave ka kaluar në favor të shtetaist I. Th. shumën 48.118.366 lekë. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të shtetases Sh.P.

Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.

Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka urdhëruar ndalimin e shtetasit I.Th., për veprat penale të parashikuara nga nenet 134/3 dhe 320 të K.Penal si dhe vazhdon hetimet në lidhje me përgjegjësinë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos