Pas më shumë se dy vjet hetime, Prokuroria e Posaçme, SPAK, mbylli hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me akuzat ndaj tij për tragjedinë e Gërdecit në vitin 2008. Ish-ministri u mor i pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, si dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjektet ushtarake, kuadër komandues, akuze qe ish-ministri Mediu e hodhi poshtë. Ai dhe avokati i tij, Ardian Visha deklaruan se hetimi i SPAK nuk solli asnjë element të ri nga hetimi i bërë asokohe nga Prokuroria e Përgjithshme.
“Këtë akuzë nuk e pranoj. Jam i pafajshëm. Çështja e demontimit është çështje sigurie kombëtare me të gjitha praktikat e demontimit dhe në analizën e sigurisë kombëtare është demontimi. Kam deklaruar në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare që nëse do të gjendet një telefonatë me personin shqiptar apo amerikan që kryente biznesin, marr të gjithë përgjegjësinë për këtë çështje. Është cilësuar Gërdeci si një nga strukturat më të mira për demontimin e municioneve. Nuk ka qenë ministri, po autoritetet më të larta ushtarake që e kanë bërë me dije. Kush e certifikon një proces ushtarak, ministri? Nuk kam pasur asnjë kontakt as me firmën amerikane, as me frmën shqiptare të demontimit. U njoha me aktet dhe jam i gatshëm t’i përgjigjem SPAK-ut për çdo gërmë dhe dokument që kam firmosur. SPAK nuk ka sjellë asnjë provë të re. Për mua ka qenë e motivuar politikisht dhe asgjë më shumë. Secili të ketë të drejtë të pyetet dhe hetohet në mënyrë të drejtë”.
Fatmir Mediu (A2 Televizion)