Anulohet kartoni i kuq për Vinicius, Federata Spanjolle dënon ashpër Valencian

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 08:25 | Futboll
Anulohet kartoni i kuq për Vinicius, Federata Spanjolle dënon

Federata spanjolle e futbollit ka vendosur, të martën në mbrëmje, të anulojë kartonin e kuq të marrë nga Vinicius Junior në sfidën e luajtur në “Mestalla” përballë Valencias.

Sulmuesi brazilian nuk do të përballet me asnjë pezullim, ndërsa “La Liga” ka vendosur të ndëshkojë ashpër Valencian pas abuzimit racist që pësoi anësori i Real Madrid të dielën.

Ylli brazilian ishte në shënjestër të sulmeve raciste, me fansat në stadiumin e “Mestalla” që e krahasuan me majmunin.

Në njoftim nënvizohet gjithashtu se tribuna “Mario Kempes” ku ndodheshin fansat që fyen Vinicius është urdhëruar të mbyllet për pesë ndeshje dhe Valencia është gjobitur me 40.000 dollarë për shkelje shumë të rënda të tifozëve të tyre.

Vendimi vjen pasi RFEF, organi drejtues i futbollit spanjoll, më në fund vepron për abuzimin e poshtër që është shfaqur përgjatë këtij sezoni përkundrejt Vinicius Jr.

Në deklaratën ku shpjegohej vendimi thuhej se “veprimet e ndryshme të agresionit fizik dhe verbal, nga kundërshtarët dhe tifozët ndaj Vinicius janë kryer me mosndëshkim total dhe përballë pasivitetit të gjyqtarëve, FA spanjolle dhe La Liga”.

Vendimi i RFEF-it konstatoi se thirrjet e vazhdueshme raciste në të gjithë stadiumin ndikuan për ta kthyer viktimën e sulmuar në një agresor.

Vendimi u mor nga një panel prej tre personash me një përfaqësues të Federatës së Futbollit të Spanjës, Ministrisë Spanjolle për Kulturën dhe Sportin dhe LaLiga.

Valencia ka 10 ditë pune për të apeluar në Komitetin e Apelit kundër dënimit të dhënë.

Ky është sanksioni i parë serioz i vendosur nga FA spanjolle këtë sezon, pavarësisht se anësori brazilian është shënjestruar në mënyrë konstante me sulme raciste dhe mesazhe urrejtjeje, të paktën në 10 raste të ndryshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos