Kur duhet t’i drejtohet një pacient neurologut? Dr. Meri Papajani në “Diagnozë”: Ja shenjat që nuk duhet t’i neglizhojmë

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2023, 18:57 | Lifestyle

Në emisionin “Diagnozë”, në A2 CNN, Dr. Meri Papajani tregoi rastet kur një pacient duhet t’i drejtohet neurologut.

“Një dhimbje koke kronike do ta bëjë pacientin që ta neglizhojë ardhjen tek mjeku. Por, kur kjo zgjat në kohë, kur intensiteti i saj është shumë i fortë, është ndryshe nga herët e tjera, ky është momenti për t’u drejtuar tek mjeku. Kur kemi një mpirje të gjysmës së trupit apo të një anësie që ikën e vjen, këto mund të jenë episode tranzitore ishemike që janë shumë të rëndësishme për t’u vlerësuar e për t’u paraqitur tek mjeku. Sepse pavarësisht se ato janë tranzitore dhe për pak minuta, ata mund të rikthehen rutinës dhe normalitetit, ato janë ato këmbanat e alarmit që duhet t’i kuptosh pse kjo të ka ndodhur, për të ruajtur këtë cilësi jete që ke, të rikthimit në normalitet. Dhe gjithë qëllimi këtu është, që të ruajmë cilësinë e jetës së këtyre pacientëve dhe të diagnostikojmë në kohë dhe t’i trajtojmë ashtu siç duhet”, shpjegoi Papajani.

Sëmundjet neurologjike, Dr. Meri Papajani: Ankesa më e shpeshtë është dhimbja

Dr. Meri Papajani, e ftuar në emisionin “Diagnozë” në A2 CNN, tregoi se gjëja e vetme që e çon pacientin te mjeku është dhimbja.

“Më e shpeshta janë ato që kanë dhimbje, jo vetëm tek neurologu, por dhe tek mjeku i familjes, tek specialitetet e tjera, ajo çfarë e çon pacientin tek mjeku është dhimbja. Kjo është një nga ankesat më të shpeshta, dhimbjet e kokës, mund të jenë radikulopatitë, dhimbjet e belit që i radohen tek njëra nga këmbët, ose tek të dyja, ose vetëm në regjonin lumbar. Dhimbjet e shpinës mund të vijnë si nga postura apo dhe nga herniet cervikale apo dhe nga patologji të tjera të mirëfillta të vetë palcës. Mund të vijnë dhimbje periorbitale, neuralgjitë tregiminale, dhimbje të fytyrës që përhapen vetëm në një gjysmëanë, dhimbje të kokës në tërësi, pikërisht vendi ku është kjo ankesë e manifestuar nga pacienti, na bën që ne të fokusohemi dhe ta fillojmë vizitën tonë. Po më tej, vizita duhet të jetë më e përgjithshme”, tha Papajani.

Cilat janë ekzaminimet dhe metodat diagnostikuese për sëmundjet neurologjike?

Dr. Meri Papajani, e ftuar në emisionin “Diagnozë” në A2 CNN, tregoi ekzaminimet dhe metodat diagnostikuese për sëmundjet neurologjike.

“Ekzaminimi gjithmonë pasohet edhe me analiza laboratorike, nëse pacienti nuk i ka kryer më parë. Një pjesë janë shumë të mundshme në laboratorin tonë, si analiza laboratori hematologjike, ashtu dhe ato biokimike, apo në raste të rralla dhe analiza gjenetike, që është një pikë e fortë e laboratorit Vera-Virhov. Përpos ekzaminimeve laboratorike tek ne realizohen dhe ekografi si eko të vazave të qafës, apo eko të abdomenit, të anësive periferike, eko doppler periferik, që mua më ndihmojnë për diagnozat diferenciale në lidhje me ankesat që pacientët mund të manifestojnë. Në kabinetin e neurologjisë ne mundësojmë dhe elektrocenfalogramën, një ekzaminim shumë i rëndësishëm për të kuptuar aktivitetin e kores së trurit, aktivitetin elektrik që është shumë specifik për diagnozën e epilepsive, formave të ndryshme të epilepsive, çrregullimeve të gjumit apo dhe dhimbjet e kokës”, tha Dr. Papajani.

Dr. Meri Papajani në “Diagnozë”: Stili i jetesës ndikon në shfaqjen e sëmundjeve neurologjike. Ja çfarë duhet të kemi kujdes

Në emisionin “Diagnozë”, në A2 CNN, Dr. Meri Papajani theksoi se stili i jetesës ndikon në shfaqjen e sëmundjeve neurologjike.

“Në plan të parë unë do të nxirrja stilin e jetesës tek këta pacientë, si ato e kanë aktivitetin e tyre fizik, sa rëndësi i kushtojnë aktivitetit fizik, sa rëndësi i kushtojnë patologjive të cilat kanë në organizëm dhe sa i ndjekin dhe i mirëtrajtojnë ato. Për shembull, një mosmenaxhim i mirë i vlerave të tensionit arterial, patjetër që në moment të caktuar do të manifestohet dhe me shenja neurologjike.

Freskida Miloti: Pra, të sëmundjet kronike kryesisht.

Meri Papajani: Sëmundjet kronike, të tilla si hipertensioni, diabeti, problemet renale, problemet autoimune, sëmundjet autoimune, problemet hormonale, çrregullimet hormonale do të manifestohen dhe me shenja neurologjike. Çrregullimet vitaminoze, mungesa e hekurit, mungesa e vitaminës D...

Freskida Miloti: Shpesh herë nuk i vlerësojnë në fakt njerëzit.

Meri Papajani: Neglizhohen.

Kur shfaqen sëmundjet neurologjike si demenca apo Parkinsoni? Dr. Meri Papajani: Aksidentet vaskulare po shfaqen në mosha të reja

Dr. Meri Papajani, e ftuar në emisionin “Diagnozë” në A2 CNN, tregoi se kur shfaqen për herë të parë sëmundjet neurologjike, siç është demenca.

“Demencat përgjithësisht janë pas moshës 50-60 vjeç, pavarësisht se kemi raste dhe me fillim më të hershëm. Edhe sëmundja e Parkinsonit është më shumë në moshën mbi 60 vjeç në pjesën më të madhe të rasteve. Por, ka patjetër dhe forma më të rralla që fillojnë shumë më herët. Aksidentet vaskulare gjithnjë e më shumë po na shfaqen edhe në mosha më të reja. Këto për vetë faktin e këtyre situatave të tjera të stilit të jetesës dhe të sëmundjeve konkumitante që këta pacientë kanë. Nuk duhet të harrojmë dhe dislipidemitë, dhe dislipidemia është një nga faktorët që manifestohet si me dhimbje koke, ashtu dhe me aksidente vaskulare, e cila është kollaj e trajtueshme, mund të mirëmenaxhohet dhe mund të shmangë pasojat neurologjike”, u shpreh Dr. Papajani.

Kujdesi që duhet të kenë pacientët me epilepsi, Dr. Meri Papajani: Nuk mund të lihet trajtimi në mes dhe pse pacienti thotë se ndjehem mirë.

Në lidhje me epilepsinë, Dr. Meri Papajani deklaroi në studion e “Diagnozë” në A2 CNN se një pacient që vuan nga epilepsia nuk mund ta lënë trajtimin përgjysmë thjesht sepse ndihen mirë për momentin.

“Një pacient thotë “unë nuk kam bërë kriza prej kaq kohësh, unë jam lodhur me terapinë, dua ta lë atë”. Por, ka kritere kur kjo terapi ndërpritet. Një pacient duhet të jetë për një kohë mbi 2 vjet, mbi 5 vjet pa kriza, por kjo e bashkëshoqëruar dhe pa aktivitete elektrike në elektrocefalogramë, sepse nëse ne aty shohim që persistojnë valët patologjike, epileptiformat, pavarësisht se pacienti nuk ka arritur të kuptojë shenjat apo ka ndryshuar formën e krizave që ai bën, kriza që jo gjithmonë kuptohen nga pacienti apo dhe nga familjarët që e shoqërojnë, atëherë terapia nuk duhet ndërprerë. Pra, ne nuk japim mjekime për elektroencefalogramën, sikurse nuk japim mjekime vetëm për pacientin. Pra, janë disa... duhet menduar dhe shkaku që i ka sjellë këto kriza, pa të mendosh se kur hiqet kjo terapi, apo kur duhet të shtohet një antiepileptik i dytë, apo kur duhet ndërruar njëri nga këto dhe duhet zëvendësuar”, shpjegoi Dr. Papajani.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi