Fotoja e parë zyrtare e Princeshës së Wellsit, Kate Middelton që prej operimit, dyshohet si e manipuluar. Për këtë arsye agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters, Associated Press dhe disa agjenci të tjerë, e kanë hequr nga qarkullimi.
Ishte Pallati Kensington që e publikoi fotografinë të dielën mes thashethemeve që kanë rrethuar prej javësh princeshën, e cila nuk është parë më në publik që nga muaji dhjetor. Vëzhguesit vunë re mospërputhje në detajet e fotos.
Vetë Kate Middelton kërkoi falje lidhur me pështjellimin e krijuar. "Si çdo fotografe amatore, edhe unë herë pas here, eksperimentoj me editimin", citohet të ketë thënë ajo në një deklaratë të bërë publike nga Pallati Kensington.
Fotografia u shfaq në rrjetet sociale të Princit dhe Princeshës së Uellsit, së bashku me një mesazh nga Middleton e cila uroi kësisoj Ditën e Nënës. Kjo ngjarje u bë shumë shpejt lajmi kryesor në Britani dhe fotografia mori gati 50 milionë shikime në rrjetin social X deri në fundin e ditës. Një shikim më i kujdesshëm tregoi një sërë mospërputhjesh, siç ishte dora e majtë e princeshës Charlotte që nuk ishte në vijë me krahun, e detaje të tjera të cilat tregonin se fotoja ishte ndryshuar. (A2 Televizion)