
Një studim i ri zbulon se të folurit e shumë gjuhëve mund ta "rinovojë" trurin tuaj deri në 13 vjet. Këtë e pohojnë autorët e një studimi të prezantuar në Barcelonë në Forumin FENS 2026 (Federata e Shoqatave Evropiane të Neuroshkencës). Për herë të parë, përfitimet e të mësuarit të një ose më shumë gjuhëve të tjera përveç gjuhës amtare janë matur me kalimin e viteve, duke zbuluar se sa më herët të fillojë dhe sa më thellë të studiojë dikush, aq më mirë.
Studimi përfshinte gati 900 persona nga Vendi Bask, një rajon në veri të Gadishullit Iberik, të cilët flisnin një ose më shumë gjuhë nga spanjishtja, baskishtja, frëngjishtja dhe anglishtja. Duke krahasuar moshën biologjike të trurit me moshën aktuale të trurit, doli në pah se shumëgjuhësia sjell përfitime eksponenciale. Konkretisht, ata që flisnin dy gjuhë kishin tru gjashtë vjet më të ri, ata që flisnin tre gjuhë shtatë vjet më të ri dhe ata që flisnin katër gjuhë trembëdhjetë vjet më të ri.
Sipas studiuesve efekti nuk lidhej vetëm me numrin e gjuhëve të folura, por edhe me nivelin e zotërimit të gjuhës dhe moshën në të cilën ajo mësohej.
"Kompetenca më e madhe gjuhësore dhe përvetësimi më i hershëm i gjuhës së dytë shoqëroheshin me plakje më të vonuar të trurit", shpjegon Lucia Amoruso, e cila prezantoi hulumtimin në konferencë.
A do të thotë kjo që të mësuarit e një gjuhe si i rritur nuk ka efekte pozitive? Absolutisht jo. Ndërsa përfitimet më të mëdha ndodhin kur mësohen shumë gjuhë gjatë fëmijërisë, të mësosh këtë si i rritur ka efekte shumë pozitive për shëndetin e trurit.
Edhe pse morën në konsideratë faktorë të tillë si mosha, gjinia dhe niveli i arsimimit të pjesëmarrësve, autorët paralajmërojnë se nuk është e mundur të përjashtohet plotësisht ndikimi i faktorëve të tjerë që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit, siç janë stili i jetës dhe niveli i angazhimit shoqëror.
Qëllimi tjetër i ekipit është të kryejë një studim të ngjashëm tek njerëzit me sëmundje neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit , ku plakja e trurit është edhe më e rëndësishme. (A2 Televizion)