Instagram dhe Facebook do të trajnojnë Inteligjencën Artificiale me fotot dhe postimet tuaja, si të tërhiqeni?

Nga A2 CNN
6 Qershor 2024, 14:38 | Teknologji

Instagram dhe Facebook do të trajnojnë Inteligjencën Artificiale

Gjiganti i mediave sociale Meta ka shkaktuar debate së fundmi me politikat e reja rreth mbledhjes së të dhënave të përdoruesve.

Pak përpara lançimit të mjeteve të reja të Inteligjencës Artificiale, kompania ka njoftuar përdoruesit e Instagramit dhe të Facebook se shumë shpejt do të nisë të vjelë informacione (përfshirë edhe fotot dhe postimet), për të trajnuar sistemet e saj të Inteligjencës Artificiale.

Megjithatë, nuk janë vetëm përdoruesit e mediave sociale që do të preken. Në një lëvizje që pritet të shkaktojë tensione, Meta po informon njerëzit që mund të përfundojë duke u procesuar të dhënat, edhe nëse nuk i përdorin shërbimet e saj.

Instagram dhe Facebook do të trajnojnë Inteligjencën Artificiale

Por a ekziston një mënyrë për ta përjashtuar veten nga këto rregulla kontroverse?

Ka mënyra që mund të provoni për të shmangur grumbullimin e të dhënave tuaja. Siç kërkohet nga GDPR, Meta po i lejon përdoruesit të kundërshtojnë përdorimin e informacionit të tyre në këtë mënyrë.

Për ta bërë këtë, mund të plotësoni një formular të shkurtër në faqen e internetit të Instagram-it, i cili kërkon arsyet pse dëshironi të tërhiqeni, së bashku me disa informacione personale si vendi i banimit dhe email-i.

Meta thotë se do të “shqyrtojë kërkesat për kundërshtime në përputhje me ligjet përkatëse për mbrojtjen e të dhënave” dhe do të respektojë ankesat e suksesshme “në vazhdim”.

Por, këtu qëndron edhe “hilja”: pavarësisht protestave tuaja, Meta mund të përdorë ende të dhënat tuaja për të trajnuar AI-n e saj në disa raste, pavarësisht nëse përdorni platformat e saj apo jo.

Kjo do t'ju ndikojë nëse shfaqeni ose përmendeni në postimet apo fotot e shpërndara nga përdoruesit e Instagram dhe Facebook-ut.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani