Audio-përgjimi rihap çështjen e 21 janarit, Koçi: Justifikojnë bindjet e PS-së, Berisha përgjegjësi në tre plane

Nga A2 CNN
23 Janar 2023, 21:48 | Politikë
Audio-përgjimi rihap çështjen e 21 janarit, Koçi:

Pas 12 vitesh, çështja e dhimbshme e 21 janarit, ku gjatë një proteste të PS-së përballë kryeministrisë humben jetën 4 protestues, po hapet serish nga disa audio-përgjime që së fundi duket sikur tregojnë për një urdhër direkt Gardës për të goditur protestuesit.  

Sipas deputetit të PS-së, Petro Koçi, “audio-përgjimi justifikon bindjen e PS për paaftësinë e drejtësisë për t’i shkuar deri në fund asaj ngjarje. Ish-kryeministri Berisha nuk është marrë kurrë në pyetje, dhe ka përgjegjësi në 3 plane, sepse ka fshirë serverat, për të fshirë provat mbi gjithçka ka ndodhur rreth kryeministrisë, dhe sepse pengoi prokurorinë  e përgjithshme të merrte në pyetje operativët e Gardës. E treta është e përbërë nga deklaratat e tij, ku ka deklaruar edhe se ai do të merrte vetë snajperin ndaj Edi Ramës duke deklaruar për njerëz me çadra-pistoleta, ndërkohë që sot deklaron se audio përgjimet janë fals dhe i ka bërë Ardi Veliu, pra Berisha duhet të japë shpjegime edhe për këto”, thotë ai në “Debat”.  

Por a mjafton transkriptimi i një audio-përgjimi për të rihapur çështjen. Sipas Koçit, po sepse “legjislacioni i ri lejon që të rihapet çështja në qoftë se del një provë e re”.

Nga SHBA ku jeton, më skeptik duket gazetari Flamur Veizaj, që atë ditë janari raportonte nga terreni. “Unë jam shumë skeptik, mendoj se do të ketë një tymnajë që do të mbetet disa ditë dhe kaq.  Prova kryesore kanë qenë kamerat e sigurisë, me zë dhe figurë, që u fshinë në atë kohë, duke mos i lejuar prokurorisë për persona përgjegjëse për urdhrin e dhënë si dhe për ata që ekzekutuan urdhrin”, thotë ai që shton se sipas tij, rrjedhja e informacionit të këtyre orëve mund të vij nga “dikush që mund të ketë regjistruar diçka nga ato kamera të sigurisë, para se të fshiheshin”.

Gazetari mendon gjithsesi se nuk kemi të bëjmë me provë ekzakte, por indicie, dhe se “prokuroria ka patur 12 vite kohë për të dëshmuar kush ka vrarë Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën”.

Sipas tij, “ajo që mbetet njollë në historinë shqiptare është që katër persona u vranë duke u qëlluar nga garda jashtë perimetrit të institucionit, që do të thotë që ka patur një mungesë të madhe profesionalizmi. Jam skeptik që kjo provë mund të shërbejë për ndërrimin e akuzës, sepse për procedurë shumë njerëz kanë shpëtuar për ndjekje penale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos