Avokati Ledio Braho, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, theksoi se “në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, rol vendimtar për pezullimin e vendimit për prishjen e Teatrit Kombëtar do të ishte veprimtaria e SPAK-ut”.
“SPAK-u duhet të kishte kërkuar pezullimin e vendimit të Këshillit Bashkiak, një vendimmarrje që nuk u bë shumë e qartë se si arriti në atë pikë. Edhe pse nuk bëhet fjalë për “peshqit e mëdhenj”, jemi në kushtet e një paligjshmërie kolosale dhe të pakthyeshme. Paligjshmëria nis që kur Këshilli i Ministrave i kalon Bashkisë Tiranë të drejtat e pronësisë në lidhje me Teatrin Kombëtar. Edhe po ta analizosh në aspektin literal të emrit, kur flasim për Teatër Kombëtar nuk mund të flasim për bashki”, theksoi Braho.
“Kryeministri e ka pranuar që e ka pasur fiksim për ta prishur teatrin prej kohësh. Ajo çka është më ironike, është mënyra se si u bë. Në kohë pandemie, në 4:30 të mëngjesit shkojnë e shembin teatrit. SPAK-u të ngrihet në nivelin e detyrës, të marrë në hetim të gjithë personat përgjegjës për këtë, duke nisur nga Këshilli i Ministrave, Këshilli Bashkiak dhe të gjithë ata policë që kanë kryer veprime të dhunshme, krejtësisht të panevojshme”, shtoi juristi. (A2 Televizion)