
Analisti Nexhmedin Spahiu, i ftuar në “Absolut 4” në A2, komentoi deklaratat e Ramush Haradinajt, i cili, gjatë prezantimit të programit të AAK-së, u shpreh se, “në vitin 2025, nëse Kosova nuk i ka mbërritur rezultatet e drejta që i takojnë me i mbërrit, me anëtarësimin drejt BE-së, NATO-s dhe OKB-së, atëherë unë do të votoj për bashkim me Shqipërinë”.
Sipas Spahiut, Haradinaj gabon që shantazhon BE-në me bashkimin me Shqipërinë.
“Si do t’i bashkangjitesh Shqipërisë, kur Shqipëria është anëtar i NATO-s. Mendoj se është qëndrim i gabuar”, theksoi Spahiu.
Ndërsa, analisti Drilon Gashi mendon se bashkimi me Shqipërinë është ide që përdoret në fushata politike, për të marrë një pjesë të votës populiste.
“Ai lloj bashkimi nuk i hyn në punë as Kosovës dhe as Shqipërisë. Këto dy vende duhet të bashkëpunojnë realisht në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes. Pas zgjedhjeve në të dyja vendet, duhet të ketë një rinisje të marrëdhënieve”, nënvizoi Gashi.
Ndërsa ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Arben Çejku, theksoi se politika e jashtme e Kosovës ka nevojë së pari për një politikë të brendshme të konsoliduar: “Uroj që zoti Kurti të ketë një mazhorancë të qëndrueshme dhe të mos ketë luftën e ftohtë, siç e kishte me LDK-në. Duke pasur një president si Ramush Haradinaj, që do ta relaksonte në marrëdhëniet me pjesëtarët e UÇK-së, politika e jashtme do të ishte një ushtrim që do të lehtësohej. Nuk mund të kesh politikë të jashtme të suksesshme, kur nuk ke një qetësi të brendshme”. (A2 Televizion)