Shkodra, qyteti i ngjyrave. Diku gjen diell, rini, jetë, muzikë e humor, diku më larg gjen qetësi, varfëri, rrugë të vjetra, shtëpi të braktisura nga ata që Shkodrën e kanë lënë pas e kanë zgjedhur Tiranën, fqinjin Malin e Zi apo edhe emigrimin. Shumë e njohin si Shkodra e humorit, shumë si Shkodra e traditës, mikpritjes, kulturës, artit apo sportit, shumë e njohin si qyteti i biçikletave. Shumë shkojnë në Shkodër për Bunën, për liqenin apo Shirokën, për të shijuar peshkun e freskët apo tavën e krapit.
Takimin e parë në hyrje të Shkodrës, çdokush e ka me Urën e Bahçallëkut apo edhe lagjen që mban të njëjtin emër. Më pas, vetë rruga të orienton ose drejt Shirokës, ose sipër drejt kalasë ose brenda në qytet, atje ku rrugët kanë më shumë gjallëri.
Ditët e javës, por sidomos fundjava, Shkodrën e gjen përsëri të zgjuar herët. Një biçikletë në dorë, nxitimthi nëpër lagje për pazarin e ditës e më pas një kafe e një dorë muhabet. Diku për sportin e tashmë pjese e tavolinave janë edhe zgjedhjet.
Vetë shkodranët zgjedhin të lëvizin në ditë pushimi, herë në alpet shqiptare më në veri e herë në Velipojë, atje ku shtrihet Adriatiku.
Në ditë me diell, qyteti është plot jetë. Kafenetë plot, pedonalja po ashtu. Qyteti pret veç vizitorëve vendas, edhe turistë të huaj, kryesisht nga Kosova apo Mali i Zi, por edhe të huaj, që Shkodrën e vizitojnë kalimthi, teksa sytë i kanë nga Razma apo Thethi.

Shumë shkojnë në Shkodër për kalanë e Rozafës, që mban mbi vete jo vetëm peshën e kohës, por edhe legjendën e të resë Rozafë, bukuroshes shkodrane, që sipas gojëdhënës u sakrifikua për këto mure.
E shtrirë në një sipërfaqe prej 2558 kilometra katrorë, Shkodra rrethohet magjishëm me një harmoni natyrore, me liqenin, malin e detin, duke ofruar turizëm gjithëvjetor, vetëm 2 orë larg Tiranës. Qyteti është shtëpi e 135 mijë banorëve, sipas censusit të vitit 2011 apo 200 mijë banorëve sipas regjistrit të gjendjes civile.
Velipoja është ajo që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, por edhe vetë qyteti Shkodrës, me një histori 2500-vjeçare, po tërheq sy kureshtarë gjitnnjë e më shumë, me Fototekën Marubi, kalanë, pedonalen e qendrën e qytetit, teatrin ku janë dhe me mijëra shfaqje e prej ku kanë dalë me dhjetëra artistë, ende sot të dashur për publikun, shkodran e jo vetëm. Për fat të mirë, vit pas viti është punuar e investuar për t’i dhënë Shkodrës një fytyrë të re. Për fat të keq, nuk është investuar shumë, së paku jo mjaftueshëm, jo aq sa vetë shkodranët do të kishin dashur, si për ta ruajtur qytetin e tyre.
Kudo, nga qendra në rrethina, qyteti jep dy anë të ndryshme, diku e reja me ndërtime, restaurime dhe shkëlqim, diku më larg, braktisje e varfëri.
Pritshmëritë për këto zgjedhje, që drejtpërdrejtë lidhen me përditshmërinë e tyre, i kanë të larta. Çuditshëm, edhe pse të zhgënjyer, votën nuk duan ta çojnë dëm. Të dy kandidatët i njohin, fundja janë shkodrane, në mos Benet Becin e Bardh Spahinë, njëri ekonomist e tjetri mjek në profesion, njohin apo kanë të dëgjuar emrat e familjeve të tyre. Zgjedhin të votojnë, si për të bërë sadopak ndryshim me votën e tyre, por ka edhe të tjerë të zhgënjyer…
Në Shkodër, ashtu si kudo nëpër Shqipëri, sytë i kanë nga infrastruktura. Disa rrugë janë ndërtuar herët, ndoshta mbi 1 shekull më parë. Për shembull, rrugët karakteristike, ndërtuar në shekullin XX, e rikonstruktuar duke ruajtur të njëjtën formë, në atë që njihet si zona muze e qytetit.
Sfida edhe në Shkodrën 2500-vjeçare është ruajtja e traditës, historisë, në përpjekje për të prekur vetëm më të domosdoshmet.
Kështu siç ndodh me shtëpinë e Pashko Vasës, shpallur monument kulture, nën mbrojtjen e shtetit, por pasardhësit e familjes thonë se ajo është prag rrënimit dhe vetë është e pamundur të rikonstruktohet. Familjarët thonë se kurrsesi nuk mendojnë ta përdorin si bujtinë.

Nën rikonstruksion është edhe kafja e madhe, e famshme pranë qendrës. Dora e rindërtimit gjithsesi në qytet, ndihet. Bukur e krenare ngrihen më pas edhe muzeu historik, fototeka Marubi me fotografinë e parë të stampuar në vitin 1858.
Shqiptarët me të drejtë e quajnë Shkodrën djepin e kulturës së tyre. Në Shkodër u rritën e u formuan shkrimtarët e parë shqiptarë, si Marin Barleti, Marin Biçikemi, Dhimitër Frangu. Por, Shkodra është vendlindja edhe e Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Migjenit e Ernest Koliqit. Apo edhe fenomeneve letrare të mëvonshme si Arshi Pipa e Martin Camaj.
Në qendër, të apasionuarit pas artit, mund të shijojnë magjinë historike të teatrit “Migjeni”. Edhe kjo godinë, ndonëse e rikonsruktuar herë pas here, përsëri ka nevojë për një dorë të mirë. Teatri është shtëpi artistike jo vetëm e trupës se teatrit, por edhe estradës, që përmes humorit, është pjesë e pandarë e tavolinave shkodrane, bejteve apo edhe karnavaleve që i kanë dhënë Shkodrës emrin “qyteti i humorit”.
Velipoja, Shiroka, Thethi, Razma, Liqeni i Komanit apo Vaut të Dejës, veç ia plotësojnë Shkodrës magjinë e turizmit, në dimër e në verë. Për pak minuta, ne udhëtuam drejt Shirokës. Nga ura e Bunës drejt Shirokës, rruga është e shkurtër, por shija e udhëtimit jo.
Jemi pak metra larg qendrës, ndoshta nën themelet e Rozafës, dhe këtu, dora e shtetit, qoftë pushtet vendor apo atij qendror, nuk ndihet fare.
Magjishëm Shiroka, në fundjavë, pret mijëra vizitorë, për disa foto, një kafe, një shëtitje apo një drekë buzë liqenit. Peshku është i freskët dhe çmimet të përballueshme, për këdo.

Njëjtë si rruga drejt Shirokës, edhe pse larg qendrës së qytetit, është rrëmujshëm, zhurmshëm, edhe brenda qytetit, një nga lagjet më të njohura të saj: lagjja Rus, atje ku trotuaret, madje edhe rrugët, janë të pushtuara nga tregtarë e shitës ambulantë.
Sa vështirësi për të ecur me biçikletë. Makina të parkuara në dysh, duke e bërë të pamundur për personat me aftësi të kufizuara apo edhe për ata që për lehtësi kanë zgjedhur biçikletën, që të ecin pa i bërë sytë katër. Qyteti që numëron mijëra biçikleta, minimalisht 3 për familje, ka shumë pak korsi biçikletash, edhe atje ku vijëzime ka, mbi to janë parkuar makinat.
Sikur të mjaftonte kaq që shkodranët të ishin të kënaqur. Kurrsesi nuk mund të ndodhë, as në Shkodër e askund tjetër, fundja njeriu kurrë nuk kënaqet me çfarë ka. Ndoshta mirë do të ishte një rrugë më shumë e shtruar, disa të ardhura më shumë në fund të muajit, një punë e sigurt pas diplomimit, ujë 24 orë pa patur nevojën e një pompe, ndriçim publik, edhe larg qendrës së bukur. Këto janë problemet e përditshme të një shkodrani, që gdhin e ngryset në këtë qytet.
Problemet në Shkodër ndër vite mbeten po ato, përmbytjet, ku pedonalja e re, e bukur, e kushtueshme e plot shkëlqim në ditet me diell, e përshtatshme për një set fotografik, në pak minuta shi shndërrohet në një lumë që vështirë se mund ta kalosh pa u lagur kurrsesi, por ndoshta edhe me një rrëzim e lëndim të lehtë. Pedonalja zakonisht nuk përmbytet, të paktën jo si “të përmbyturit e përhershëm”. Vërshimi i lumenjve Drin dhe Bunë apo edhe i liqenit të Shkodrës sjell çdo dimër, përmbytje dhe dëme kolosale, që veç shtëpive, dëmin më të madh e kanë tek toka e bagëtia. Kështu ndodh çdo vit në Obot, Dajç, Ana e Malit e çdo rrethinë tjetër të Shkodrës.

Dhe çdo prag zgjedhjesh apo çdo periudhë fushate, për zgjedhje të përgjithshme apo vendore qofshin, shkodranët pyesin me të drejtë: Ku do shkojë kjo vota jonë? A do përkthehet në investime? A do kemi rrugë të reja? Ndriçim? Korsi për biçikleta? Shkodranët nuk kanë marrë atë që prisnin në 10 vjet qeverisje nga socialistët. Premtimet e radhës i morën në 2021 apo edhe 6 marsin e vjetshëm, por përsëri duket sikur këtu, në qytetin që njihet si blu, dora e shtetit nuk arrin dot.
Shumë e krahasojnë Shkodrën me Kavajën: socialistët mburren se e thyen mitin atje. Do ia dalin edhe në kryeqendrën e veriut?
Spahia: I kemi nisur qeverisë 92 projekte, ka mbështetur vetëm 4
Bardh Spahia, kryebashkiaku aktual i bashkisë Shkodër, i cili garon për një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 majit, në emër të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, prezantoi në “Debat” platformën e tij politike.
Ndërsa foli për punën e bërë nga ai në këtë një vit gjatë së cilit ka qenë në detyrë, Spahia hodhi poshtë edhe akuzat për “një mendësi të mbyllur” të bashkisë Shkodër për të bashkëpunuar me pushtetin qendror.
Përkundrazi, kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Shkodër tha se nga viti 2015 deri në 2022 janë 92 projekte të prezantuara nga bashkia te institucionet qendrorë, por siç deklaroi ai, vetëm katër prej tyre kanë marrë mbështetje.
“Vetëm vitin e fundit u prezantuam 50 projekte të tjera. Janë dërguar për financim dhe nuk kemi asnjë reagim sot e kësaj dite nga ana e institucioneve,” shtoi Spahia.
Benet Beci tregon 3 shtyllat e programit të tij
Kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci, nuk pranon ta konsiderojë një garë politike, por një garë ofertash zhvillimi për këtë bashki, betejën për zgjedhjet lokale të 14 majit. Në studion e “Debatit” në A2 CNN ai foli për 3 shtyllat kryesore ku mbështetet programi i tij.
“Kjo kohë e betejave, bastioneve e ka kthyer Shkodrën në peng të problemeve politike. Nuk do gjeni artikulim politik në fjalën time. Është një program ekonomik investimesh. Në Shkodër mungojnë shumë elementë të një qyteti 2023. Të ardhurat ekonomike janë të ulëta, nuk përfaqëson më atë ndriçimin kulturor historik që ka pasur në shekuj. Programi është i lidhur me rikthimin nga fjala bastion në një perlë të veriut. Janë 3 akse: bashkia në punë, kthimi në një qendër rajonale dhe bashkia e hapur, këto janë tre shtyllat e programit tim”.
Roli i Tom Doshit në garën e 14 majit në Shkodër
Partia Social-Demokrate këtë herë garon me lista më vete për këshillat bashkiakë, por në Qarkun e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë, do të mbështesë kandidatët socialistë.
Për Bashkinë e Shkodrës, Tom Doshi, deputeti më i votuar i qarkut në 2021, thotë se nuk do ta kursejë mbështetjen për Benet Becin, që edhe pse nuk e sheh si një njeri politik, pranon se është një menaxher i mirë, që sot i duhet qytetit.
Tom Doshi thotë me bindje se këtë herë, PS, PSD bashkë me Agron Çelën, duke shfrytëzuar edhe përçarjen brenda PD-së, do të arrijnë të fitojnë Shkodrën. Madje, zoti Doshi ka edhe një projeksion për qarkun.
“Jemi në garë vetëm për këshillat bashkiak, por PSD mbështet kandidatin e PS në Shkodër dhe të gjithë Shqipërinë. Do jemi makineri votash edhe në këto zgjedhje, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Becin e njoh personalisht, nuk është njeri politik, por menaxher i zoti. Mund të them që është më i zoti në të gjithë Shqipërinë. Ka menaxhuar Fondin e Zhvillimit në kohë të Berishës dhe Ramës. Projektet që ka paraqitur për Shkodrën janë ambicioze dhe unë kam besim. Sot në Shkodër akoma diskutohet shtrimi i rrugëve, uji i pijshëm, kanalizimet, është shumë e rëndomtë. Për 30 vjet bashkia ka pasur mundësi që t’i bëjë këto punë. Për sa i përket marrëdhënieve me bashkinë, për mua fajtore është e djathta, sepse kryetari i bashkisë nëse do takohem me kryeministrin, baza e quante tradhëtar. Kryetari aktual në detyrë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak. I ka përbuzur sepse përbëhet nga e majta. Ky është minus dhe duhet ndryshimi që të bashkëpunojnë bashkia me qeverinë. Unë mendoj që Benet Beci është fitues. Ne sot jemi bashkuar të gjithë faktorët. Po të marrim për bazë votat e 2021, PS, PSD dhe bashkë me votat e Gon Çelës, që është bashkuar sot me PS, ne jemi mbi 3 000 vota para. Përçarja brenda PD sot është e rëndësishme, PD e vulës është për këshillin dhe pjesa më e madhe e tyre nuk do votojnë për Bardh Spahinë”, tha Doshi.
“Influenca ime është rritur falë begenisjes që i kam bërë elektoratit tim, marrëdhënies direkte që kam me ta. Kam 20 vjet në politikë. Dhe sa herë ka zgjedhje, mbështetja rritet. Kam qenë dhe do të jem edhe në këto zgjedhje”, shtoi Doshi. (A2 Televizion)