Beteja Rama-Meta për Lleshin

Nga A2 CNN
7 Nëntor 2018, 16:36 | Politikë
Rama dhe zv.ministri Lleshi

Sandër Lleshi hyri në mbledhjen e qeverisë praktikisht në rolin e ministrit, por asnjëherë nuk do të mund të jetë i pranishëm në sallën plenare, aty ku ulen anëtarët e kabinetit qeveritar, sepse është thjesht një zv.ministër.

Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, gjithkush po jep interpretimin e tij për betejën presidencë-qeveri në një terren të pa eksploruar më parë, ndërsa kryeministri nuk humbi kohë për të caktuar këshilltarin e tij për sigurinë në krye të punëve të Brendshme.

Por përtej këtij debati nëse presidenti ka të drejtë apo jo të refuzojë një emërim të kryeministrit për anëtar të kabinetit të tij, ajo që kërkohet me të drejtë është një shpjegim publik i arsyes ose arsyeve se pse kreu i shtetit nuk u bind për dekretimin e Lleshit.

Presidenti do të kishte të drejtë të mos e dekretonte emërimin e kryeministrit nëse Lleshi vazhdon të jetë ushtarak aktiv. Të bëhesh ministër duhet të përmbushësh të njëjtat kritere si deputetët. Pika b e nenit 69 të kushtetutës ndalon ushtarakët aktiv që të zgjidhen deputetë, për rrjedhojë edhe ministra.

Presidenti Ilir Meta është rikthyer në qendër të debateve politike

Por nëse kjo është një arsye, presidenti i Republikës nuk e publikoi, sikundër nuk u mësua asgjë në raport me kërkimin e informacioneve për Sandër Lleshin tek autoriteti i dosjeve.

As kryeministri nuk pranoi të publikonte arsyet e dhëna nga kreu i shtetit, duke i quajtur thjesht arsyet e mos arsyes nga kreu i shtetit. Rama u mjaftua me interpretimin e tij të Kushtetutës se presidenti nuk ka të drejtë t’ia refuzojë emërimet për Këshillin e Ministrave.

Por kur afati kushtetues për të dhënë përgjigje për dekretin ka skaduar, a ka të drejtë presidenti të bindet në një kohë pa afat, apo kryeministri në një moment të dytë ridërgon edhe një herë emërimin e tij? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos