Ndryshe nga sa pritej, që fasonët të kundërshtonin rritjen e pagës minimale të premtuar nga kryeministri, për shkak se janë industria që iu rriten më shumë kostot nga ky vendim, ata shprehen dakord.
Por përfaqësuesit e fasoneve kërkojnë mbështetje financiare nëpërmjet një paketë të tretë ndihme, një gjë që deri më tani nuk është artikuluar nga ekzekutivi.
“Ne nuk jemi kundër rritjen e pagës minimale, por vlerësojmë se në këtë mënyrë kostot rriten me 15.4%. I kemi bërë kërkesë ministrisë së Financave për një paketë të tretë, ku të jemi të përfshirë”, thotë për A2 Edvin Prençe, kryetar i shoqatës se Fasoneve.
Industria fason e argumenton nevojën e një pakete të tretë ndihme me mosfunksionimin e dy garancive sovrane për ta.
“Për disa probleme burokratike dhe të kohës shumica e anëtarëve tonë nuk ka aplikuar, kemi kërkuar zgjatjen e afateve të garancisë sovrane të parë. Për sa i përket asaj të dytë, 88% të anketuarve nuk kanë aplikuar për shumë motive, për sa i përket analizës se riskut, përqindjes që kërkojnë bankat etj.”, thotë Prence.
Industria fason ka zyrtarisht rreth 80 mijë të punësuar, por numri është shumë herë më i lartë, nëse përfshihen këtu edhe ata që punojnë në të zezë. (A2 Televizion)