Biznesi pas izolimit, në Korçë mungesa e blerësve po i çon drejt falimentit

Nga A2 CNN
12 Qershor 2020, 13:30 | Aktualitet

Periudha e rihapjes pas izolimit për shkak të pandemisë Covid-19, po rezulton situatë mjaft e vështirë për biznesin e vogël në qytetin e Korçës.

Dhe këtë situatë të vështirë përveç bizneseve në zonat periferike, po e ndiejnë edhe ato biznese që janë në zonën me të preferuar të Korçës, te Pazari i Vjetër.

Madje disa prej këtyre bizneseve po shpallin falimentin, ndërsa të tjerë vijojnë të rezistojnë me shpresën te zoti. Baret, shitja e konfeksioneve, veshjeve dhe bizhuterive, kanë një emërues të përbashkët, mungesën e blerësve.

“Lëvizje nuk ka fare, njerëzit as nuk hyjnë të pyesin. Që kur kam hapur dyqanin nuk kam bërë asnjë shitje. Nuk e dimë si do të përballojmë detyrimet, qiratë”, thotë pronarja e një dyqani veshjesh.

"Që kur kam hapur dyqanin nuk kam bërë asnjë shitje", thotë pronarja e një dyqani veshjesh

“Periudha pas pandemisë ka qenë shumë keq, turistë nuk ka, njerëzit janë të trembur. Më parë situata ishte e mirë, pazari ishte plot”, thotë një tjetër tregtare. Një tjetër tregon regjistrin, që dëshmon vetëm një blerje në 10 ditët e fundit.

Me 1 mijë lekë xhiro në 10 ditë, pjesa dërrmuese e këtyre bizneseve nëse situata do të vijojë e tillë, dhe nëse nuk do të ketë ndonjë paketë ndihme nga shteti, do të shkojnë drejt falimentit të pashmangshëm.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos