Në burgjet e Izraelit po mbahen 5200 të burgosur palestinezë. Mes tyre janë 333 gra dhe 170 minorenë. Këto të dhëna datojnë përpara sulmit të Hamasit të 7 tetorit. Funksionarët palestinezë thonë se shifrat mund të jenë shumë herë më të larta.
Kombet e Bashkuara kanë zbuluar se që prej vitit 1967, kur Izraeli pushtoi Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor, janë arrestuar rreth 1 milion palestinezë.
Një në pesë palestinezë ka përfunduar të paktën një herë në pranga. Shifra dyfishohet për burrat, që ndalohen shumë shpesh. Lideri i Hamas, Jahja Sinuar, ka propozuar lirimin e mbi 200 pengjeve në këmbim të të burgosurve, por për ushtrinë izraelite, bëhet fjalë për “terrorizëm psikologjik”.
Shumë prej palestinezëve vuajnë dënim në një prej 19 burgjeve izraelite për kohë të pacaktuar pasi janë vendosur aty pa një proces gjyqësor dhe ndaluar pa asnjë provë.
Raportohet se nga viti 2000, janë arrestuar më shumë se 12 mijë fëmijë palestinezë. Shoqata “Save the Children” zbuloi që minorenët kanë pësuar abuzime fizike dhe psikologjike brenda burgjeve, të marrë në pyetje pa prezencën e një prindi dhe të shfrytëzuar si informatorë. Edhe gratë kanë rënë pre e trajtimeve mizore dhe çnjerëzore nga forcat izraelite, përfshirë dhunë seksuale. (A2 Televizion)