Teksa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, paralajmëron se vendi i tij ka nisur fazën e dytë të luftës së gjatë dhe të vështirë kundër Hamasit, presidenti amerikan, Joe Biden, shtyn përpara zgjidhjen me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke i kërkuar Tel Avivit dhe liderëve arabe të mendojnë mirë për realitetin pas luftës.
“Nuk mund të kthehemi në status quo-në para 6 tetorit”, mësohet t’i ketë thënë Biden, kryeministrit izraelit Netanjahu, në një telefonatë të zhvilluar gjatë së dielës.
Numri një i Uashingtonit, theksoi gjithashtu përgjegjësinë e Izraelit për të mbrojtur jetët e civilëve të pafajshëm dhe për të rritur menjëherë fluksin e ndihmave humanitare në Gaza.
“Presidenti Biden i ka kërkuar Izraelit të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të dalluar Hamasin që nuk përfaqëson popullin palestinez nga qytetarët e thjeshtë të Palestinës”, tha Jake Sullivan.
Administrata e presidentit amerikan, Biden është vendosur gjithnjë e më shumë nën trysni për ta bërë të qartë se mbështetja e palëkundur ndaj Izraelit, nuk do të thotë miratim për të gjitha veprimet e aleatit të Shteteve të Bashkuara në enklavën e varfër bregdetare.
(A2 Televizion)