
Ilir Meta deklaroi se Kryeministri Edi Rama ka shtuar gënjeshtrat lidhur me çështjen McGonigal.
Kreu i Partisë së Lirisë, iu referua një artikulli nga New York Times dhe tha se faktohen të gjitha lidhjes mes Ramës dhe ish-agjentit të FBI.
“Kryeministri, pasi ka bërë çdo gjë për të bllokuar llogaridhënien në Kuvend, vijoi të flasë duke shtuar gënjeshtrat për gjatë gjithë dinamikës së këtij skandali. NYT ka bërë një shkrim për këtë skandal dhe përfshirjes së Shqipërisë, përmes kryeministrit. Ky agjent ka zhvilluar një marrëdhënie me Edi Ramën dhe ka ndikuar për forcimin e këtij politikani. NYT pohon se personi A vijoi t’i transmetonte McGonigal informacione kundër opozitës”, tha Meta.
Ai tha se këto informacione e bëjnë emergjente ngritjen e Komisionit Hetimor dhe shtoi se do jenë qytetarët ata që do ta bëjnë një gjë të tillë nëse opozita pengohet.
“Komisioni do të ngrihet patjetër. Edhe nëse kukullat do të mundohen ta pengojnë do ta ngrenë qytetarët sepse është parlamenti i tyre”, u shpreh Ilir Meta. (A2 Televizion)