Clinton, presidenti i lirisë, i çon Kosovës fjalë nga Tirana për “anën e duhur të historisë”

Nga A2 CNN
3 Korrik 2023, 20:30 | Politikë
Clinton, presidenti i lirisë, i çon Kosovës fjalë nga

22 vite pasi la detyrën, Presidenti i 42 i SHBA-së, Bill Clinton vizitoi Shqipërinë me ftesë të Kryeministri Rama. E priti personalisht në Rinas, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe më pas me një ceremoni të posaçme zyrtare. Shefi i qeverisë shqiptare dhe ish-drejtuesi i Shtëpisë së Bardhë dolën përpara të ftuarve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.

Për t’i treguar që si politikan është frymëzuar nga ai, Edi Ramës nuk i mjaftoi gjuha shqipe. Duke e cilësuar “blasfemi” përkthimin, zgjodhi t’i citonte anglisht fjalimet më pikante në vendimmarrjet Clinton si President. Bill Clinton, tha ai, me vendimin e tij i dha shpresë një populli, shqiponjës binjake në Kosovë.

“Vendimi më i rëndësishëm i politikës amerikane ishte çlirimi i Kosovës dhe hapja e një epoke të re për këtë lagje të re të njohur botërisht si fuçia e barotit, Ballkani. Vendilindja e Clinton quhet “hope”, shpresë, dhe nuk është rastësi që ai ju kthehu shpresën shqiponjave të përzëna nga shtëpia e tyre”, tha Rama.

Edhe pse Kosova ishte kryefjala në podium, në listën e të ftuarve mungonin drejtuesit e Prishtinës Zyrtare, por protokolli kishte menduar që të sillte fëmijë dhe të rinj nga matanë kufirit që mbanin emrin e presidentit të 42 të SHBA apo të bashkëshortes së tij.

Këto rrëfime e emocionuan ish-presidentin amerikan, por nuk harroi të vendoste Kosovën si kryefjalë të fjalimit të tij. Nga Tirana ai i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që të heqë dorë nga tensionet dhe të zgjidhë çështjen e veriut të Kosovës, dhe serbëve të marrin pjesë në votime në ato komuna që Kosova i krijoi pikërisht që ata të përfitonin.

Për ta zhvendosur vëmendjen nga Prishtina në Tiranë, Edi Rama i tha Clinton, se jo vetëm shqiptarët, por edhe politika bashkohet kur bie fjala për Amerikën. Kjo, sipas Presidentit të 42 të SHBA, është të jesh në anën e duhur të historisë.

“Ju jeni njerëz, nuk jeni të përsosur, por mund të jeni në anën e duhur. Dikur ju ishit një derë e zymtë e mbyllur, tani ju jeni një derë e hapur. Sot, më lejuat të shoh çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë”, e mbylli fjalën e tij Cliton.

Kryeministri Rama, në emër të qeverisë i akordoi ish-Presidentit “Yllin e Mirënjohjes për Arritje Publike”. Pas kësaj dekorate, Clinton takoi të ftuarit, trupin diplomatik, ish-Presidentët, përfaqësues të mazhorancës dhe të opozitës. Për dy ish-presidentët Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kishte ftesë, ndërsa kreu aktual i shtetit, Bajram Begaj nuk mori pjesë për shkak të problemeve shëndetësore.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi