Dashamir Shehi për amnistinë fiskale: Shpërblimi i fundit për bandat, efekte të pakta në arkën e Shtetit

Nga A2 CNN
22 Prill 2020, 20:28 | Ekonomi
Dashamir Shehi për amnistinë fiskale: Shpërblimi i fundit

Qeveria ka propozuar amnistinë fiskale për disa kategori të ardhurash. Por pse pikërisht në këtë moment të vështirë të ekonomisë, ku pasojat e pandemisë në muajt në vazhdim janë të paparashikueshme?

Sipas Dashamir Shehit, ndër figurat më të njohura të opozitës, por edhe ish-ministër i Punës, përtej faktit që “qeverisë nuk i shkon në mendje asgjë tjetër veçse këto krijimtari të natyrës fiskale”, vendimi në tërësi ka si qëllim të “nxjerrë disa para për arkën e Shtetit, por më së shumti të pastrojë para të tjera, që ka krijuar po kjo qeveri”.

Në një lidhje me A2 Business Week, edhe pse Qeveria ka deklaruar se nga amnistia përjashtohen paratë e aktiviteteve kriminale, për Shehin kjo është diçka tejet naive, nga momenti që çdo ligj ka përjashtime të tilla.

“Thonë se do të vijnë paratë e emigrantëve. Por ato të ndershëm kanë dërguar çdo vit nga një miliard euro. Nuk kanë çfarë të bien më. Këtu kemi të bëjmë me para droge, ky është shpërblimi i fundit për bandat e 2016-ës”, thotë ai për A2.  

Ndërkohë sipas tij efektet në arkat e shtetit nuk do të jenë të mëdha. “Për çdo 100 milionë lekë të arkëtuara, duhet të pastrohen 2 miliardë lekë nga bota e pisët. Po e kuptoni çdo të thotë për Shqipërinë? Zyrtarizimi i narkoshtetit”, thotë Shehi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos