
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë deklarata të reja lidhur me të ardhmen territoriale të Ukrainës, duke pretenduar se vendi mund të humbasë një pjesë të territorit të tij, i cili sipas tij do t'u rikthehet shteteve që e kanë zotëruar historikisht.
Gjatë një deklarate publike, Putin tha se disa rajone në perëndim të Ukrainës iu bashkëngjitën shtetit ukrainas nga lideri sovjetik Joseph Stalin pas Luftës së Dytë Botërore, në një kohë kur, sipas tij, Bashkimi Sovjetik konsiderohej një shtet i vetëm.
"Me sa duket, Stalini nuk e kishte menduar kurrë se mund të krijohej një situatë si ajo e sotmja," u shpreh presidenti rus.
Putin pretendoi se Ukraina "herët ose vonë" do t'i humbasë këto territore dhe se zonat që dikur i përkisnin Polonisë, Hungarisë dhe Rumanisë "do të kthehen historikisht në vendin e tyre".
Presidenti rus përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se Rusia nuk ka nisur luftën në Ukrainë, duke pretenduar se Moska po i përgjigjet veprimeve të Kievit, të cilat, sipas tij, mbështeten nga vendet perëndimore.
Deklaratat e Putinit vijnë në një kohë kur lufta në Ukrainë vijon pa një zgjidhje diplomatike në horizont, ndërsa çështja e integritetit territorial mbetet një nga temat më të ndjeshme në çdo përpjekje për negociata mes palëve. (A2 Televizion)