Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vite burg Blendi Tetën, i akuzuar për vrasjen e Santiago Malkos. Ish-polici Malko u vra në gusht 2019 në zonën e Kinostudios. Në konkluzionet përfundimtare, SPAK kërkoi 19 vite burg për Tetën, pasi kishte ndryshuar më parë akuzën për të, nga “vrasje me paramendim” në “vrasje për hakmarrje”.
Santiago Malko, ish-efektivi i Policisë i cili u ekzekutua më 27 gusht 2019 brenda makinës së tij, ishte i dyshuar si i përfshirë në vepra të ndryshme penale. Një ndër to, ka qenë edhe një ngjarje në vitin 2018, në zonën e ish-Kinostudios, ku mbetën të plagosur dy vëllezër, Juxhin dhe Rivelino Mumajesi. Ngjarja është ende pa autor, por Malko është i dyshuari kryesor.
Në një video që A2 CNN zotëron, shihet se si dy vëllezërit plagosen në hyrje të një lokali, pasi dikush nga rruga qëllon mbi ta. Të dy personat janë të paarmatosur dhe siç shihet në video, hedhin karrige në drejtim të rrugës për t’u mbrojtur. Njëri prej tyre shtrihet në tokë pas plagosjes në bark, ndërsa tjetri është i plagosur në këmbë.
Malko ka qenë edhe herë të tjera protagonist i kronikave, si në vitin 2016, kur në rrugën “Islam Alla” në Tiranë ka pasur një konflikt me disa persona që zotëronin një pikë basti, dyshohet për një borxh, ku në acarim e sipër ai kishte tentuar t’i godasë me pistoletë. Për shkak të përfshirjes së tij në disa ngjarje, hetuesit mendojnë se vrasja e tij ishte e porositur dhe e mirë organizuar. (A2 Televizion)