Eksperimenti i qeverisë për të sjellë punonjës nga jashtë, për të mbushur boshllëqet e shqiptarëve të larguar, po vijon të japë sinjale pozitive.
Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se në harkun e muajve janar-gusht u pajisën me leje pune më shumë se 5 mijë e 200 shtetas të huaj, shifër kjo më e lartë se në 2021-shin e marrë në total dhe ndjeshëm më shumë se në vitet e tjera paraardhëse.

Pjesa më e madhe e tyre janë punësuar në industrinë përpunuese, ndërtim, bujqësi, peshkim, tregti apo informacion dhe komunikim.

“Është e drejtë. E shohim. Ka më shumë punonjës të huaj. I hasim në bizneset ku ne shkojmë si restorante apo qendra estetike,” shprehet Gertiana Hasalla, eksperte e tregut të punës.
Kjo ka bërë që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të parashikojë edhe më shumë lehtësi e mbështetje ndaj punonjësve të huaj në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030.
Por, nisma nuk i bind ata që e njohin si funksion në terren tregu i punës. Sipas tyre të huajt po e konsiderojnë Shqipërinë si një katapultë drejt perëndimit.
Produktiviteti i ulët i të huajve të ardhur është arsyeja tjetër që sipas ekspertëve do e dështojë eksperimentin e qeverisë.
Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, pjesa më e madhe e punonjësve të huaj që kanë ardhur në Shqipëri deri më tani janë nga Turqia, Egjipti, Filipinet, India, Kina apo Ukraina. (A2 Televizion)
