
Xhudistet nga Kosova Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi shkëlqyen që në ditën e parë të Çmimit të Madh të Tashkentit, duke siguruar dy medalje të arta.
Kelmendi, dy herë kampione e botës dhe kampione olimpike në Rio, mundi në finalen e peshës 52 kilogramë zviceranen Evelyne Tschopp, pasi më parë kishte eliminuar spanjollen Ana Perez në gjysmëfinale. Kjo ishte medalja e parë e artë për të që prej shkurtit 2017.
“Unë nuk bëj xhudo, unë jam xhudo”, tha Kelmendi pas fitores. “Kam qenë e dëmtuar për 14 muaj dhe më është dukur sikur nuk kam jetuar. Jam përpjekur të bëj gjëra të ndryshme por nuk ndihesha e lumtur. Ndërsa kjo medalje e artë do të thotë shumë për mua. U ndjeva njëlloj si në Olimpiadën e Rios, prandaj e dashuroj këtë sport”.
Distria Krasniqi siguroi medaljen e dytë për Kosovën në ditën e parë duke fituar betejën me hungarezen Eva Csernoviczki në peshën 48 kilogramë. Edhe pse kundërshtarja e saj ishte me më tepër përvojë, Krasniqi u tregua superiore duke rritur vazhdimisht presionin deri sa arriti fitoren që e lejoi të ngrinte lart flamurin e vendit të saj në podium. (A2 Televizion)