Taksimi i pagës, në vendin me rrogat më të ulëta në rajon, është sërish në qendër të debatit politik në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm, ku shqiptarët do të zgjedhin edhe njëherë midis taksimit progresiv dhe atij të sheshtë.
Ajo që propozonte në fund të vitit 2011 kryetari i opozitës në atë kohë Edi Rama ishte një skemë taksimi me shkallë, ku pagat deri në 30 mijë lekë nuk do të taksoheshin, ndërsa të gjithë ata me të ardhura nën 130 mijë lekë do të paguanin më pak se sa me regjimin e taksës së sheshtë 10% të vendosur në vitin 2007.
Taksat e mbledhura nga të ardhurat personale arritën në fund të 2019-ës në 46.1 miliardë lekë, kundrejt 29.5 miliardë lekëve të vitit 2013, viti i fundit kur u zbatua taksa e sheshtë. Rritja erdhi në pjesën më të madhe për shkak të aksionit kundër informalitetit që pasoi menjëherë vendosjen e taksës progresive, ku afro 200 mijë persona u shtuan në skemën e sigurimeve, njerëz që më parë punonin në të zezë dhe nuk paguanin asnjë taksë.
Në krahasimin midis taksës së sheshtë dhe progresive, elementi kyç është fasha e pagës deri në 30 mijë lekë që nuk taksohet. Edhe pse diçka që i atribuohet kryesisht reformës së socialistëve, ky element u zbatua edhe nga qeveria Berisha në maj 2013, vetëm 1 muaj përpara zgjedhjeve, nën presionin e taksimit progresiv që premtonin socialistët.
Sot përballë të njëjtit presion që vjen nga rikthimi i taksës së sheshtë që premtojnë demokratët, qeveria Rama po përgatitet të ndryshojë edhe njëherë skemën e taksës progresive.
Demokratët në programin e tyre synojnë të vendosin një regjim taksimi 9%, duke ruajtur fashën prej 30 mijë lekësh. Duke bërë që efektivisht të gjithë shqiptarët të taksohen më pak se sa aktualisht. Më pak taksa për individët, përkthehet edhe në një barrë fiskale më të ulët për bizneset dhe mundësi më të mëdha për tërheqjen e investimeve të huaja.
Të njëjtat efekte do të përpiqet të sjellë edhe rimodelimi i shkallëve të taksimit progresiv nga qeveria. Të dyja modelet kanë një problem jo të vogël: do të sjellin më pak të ardhura në buxhet, çka deri më tani asnjë nga palët nuk e ka treguar sesi do ta mbushë këtë gropë, në kushtet kur administrimi nga agjentët fiskale çalon fort. (A2 Televizion)