“Edhe një akuzë dhe i fitoj zgjedhjet”, çfarë tha Trump para dhe pas gjyqit në Uashington?

Nga A2 CNN
4 Gusht 2023, 08:42 | Bota
“Edhe një akuzë dhe i fitoj zgjedhjet”, çfarë

"Më duhet vetëm një aktakuzë për t'u siguruar që do të fitoj zgjedhjet."

Me vetëbesimin se 4 akuzat e reja për komplot për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të 2020-s e kanë bërë të fitojë pikë në sondazhe, ish-presidenti Donald Trump mori rrugën për në Uashington, ditën e djeshme.

I preferuari i republikanëve si kandidat për zgjedhjet e 2024 mbërriti me makinë, i shoqëruar nga Shërbimi Sekret në gjykatën E. Barrett Prettyman, duke u rikthyer në Uashington si i pandehur.

Po shkoj në Uashington për t'u arrestuar për pjesëmarrje në zgjedhje të korruptuara dhe të vjedhura. Është një nder i madh, sepse po më arrestojnë për ty. Le ta bëjmë Amerikën të Madhe sërish!”, shkroi ai përpara se të zbarkonte me Trump Force One në kryeqytet.

Në sfond ndodhej Capitol Hill, ndërtesa që mbështetësit e tij sulmuan më 6 janar 2021, ndërsa gjykata, që ka shqyrtuar çështjen e mijëra “rebelëve” të Trump ishte e mbushur plot me gazetarë.

Në dy vitet e fundit e njëjta gjykatë ka dënuar për planifikimin ose pjesëmarrjen në sulmin e 6 janarit 700 persona, me 560 prej tyre që ndodhen në burg me dënime deri në 18 vjet.

Jashtë gjykatës kishte protestues kundër Trump, me një prej tyre, Domenic Santana që pyeti: "Ku janë MAGA-të? MAGA-të dalin përpara!”.

Ai i veshur si i burgosur, me pranga false në duar tha se një herë e arrestuan vërtet, sepse u hodh para makinës së Trumpit për t'u shpëtuar mbështetësve të tij. Ndërkohë, lart mbante pankartën ku shkruhej për Trump: “Kyçeni brenda atë!”.

Aty munguan mbështetësit e Trump, të cilët preferuan të shfrynin zemërimin e tyre në internet kundër prokurorit Smith dhe gjyqtares së emëruar nga Obama, Tanya Chutkan, e cila do të kryesojë gjyqin dhe është përgjegjëse për disa nga dënimet më të ashpra për rebelët që morën pjesë në trazirat në Capitol Hill.

Nëse sulmi ndaj Kongresit është bërë një simbol i brishtësisë së demokracisë amerikane, shumë mbështetës të ish-presidentit e kanë rilexuar atë si një "punë të brendshme", një komplot nga armiqtë e Trump.

Ndërkohë, në sallën e gjyqit hyri i pari Prokurori i Posaçëm Jack Smith, në orën 15:45. Trump gjashtë minuta më vonë, me kostum blu dhe kravatë të kuqe. Pozicioni i tavolinave i detyroi ata të uleshin ballë për ballë, megjithëse shmangën kontaktin me sy, ndërsa prisnin që gjyqtarja Moxila Upadhyaya të vinte me një çerek ore me vonesë.

Smith i komunikoi akuzat duke mos përfshirë nxitjen e kryengritjes midis tyre, por vetëm tre akuza për komplot dhe pengim të drejtësisë, dhe nënvizoi faktin se Trump u përpoq të shfrytëzonte kaosin dhe dhunën.

Vetë Trump u deklarua "i pafajshëm". Mbrojtja më pas kundërshtoi një gjykim të shpejtë të cilin e kërkoi prokuroria. Avokati Lauro pretendon se kjo aktakuzë e tretë është një sulm ndaj lirisë së shprehjes, ndërsa ish-ministri i drejtësisë i Trump, Bill Barr i tha CNN : “Ai mund të thotë çfarë të dojë, madje mund të thotë se zgjedhjet janë vjedhur pavarësisht se e di se nuk janë të vërteta. Por Amendamenti i Parë nuk e mbron atë nga përfshirja në një komplot.”

Trump përgjigjet se komploti është një tjetër dhe për ta vërtetuar sipas tij, disa gazetarëve të ftuar për të fluturuar me të iu dhanë dosje që synojnë të pikturojnë aktakuzën, si pjesë e një plani nga demokratët për të mbuluar krimet e Joe Biden dhe djalit të tij Hunter.

Më pas, Trump u kthye në Nju Xhersi. Para se të nisej, ai u tha gazetarëve: “Është një ditë e trishtë për Amerikën. Kjo është përndjekja e një kundërshtari politik”.

Pavarësisht se më duhej të shkoja në një Uashington të ndyrë, dekadent dhe shumë të rrezikshëm dhe që më pas u arrestova nga kundërshtari im politik, "i korruptuari Joe Biden", i cili po humbet me mua në sondazhe, ishte një ditë e mirë!", shtoi ish-presidenti.

Sakaq, seanca e radhës është caktuar për t'u mbajtur më 28 gusht, por gjyqtari i komunikoi dje Trump se nuk do të duhet të paraqitet domosdoshmërisht personalisht.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi