Elite Round, Shqipëria U-17 barazon me Zvicrën mes emocioneve: Kuqezinjtë dominojnë sfidën

Nga A2 CNN
25 Mars 2023, 19:18 | Futboll
Elite Round, Shqipëria U-17 barazon me Zvicrën mes emocioneve:

Shqipëria U-17 barazoi me rezultatin 1-1 me Zvicrën U-17 pasditen e sotme, në takimin e dytë kualifikues kundër Zvicrës në stadiumin "Air Albania", e vlefshme për fazën "Elite Round" të Kampionatit Europian 2023.

Djemtë e drejtuar nga tekniku Ervin Bulku zhvilluan një ndeshje shumë të mirë duke dominuar e përballuar me sukses zvicerianët dhe duke u përpjekur të dalin përpara rrezikshëm. Kuqezinjtë kryesuan të parët sfidën me meritë, me golin e realizuar nga Flavio Sulejmani.

Trajneri Bulku e nisi ndeshjen me këtë formacion: Amarildo Dervishi (GK), Adi Kurti (c), Alion Damini, Jordi Jaku, Frederik Tosku, Glenis Bellon, Flavio Sulejmani, Ergi Bastari, Kleo Shpuza, Dean Vraniçi, Davide Avdullari

Kuqezinjtë e kanë rastin e parë shumë shpejt, që në minutën e katërt, me Flavio Sulejmanin, i cili godet fort një top nga jashtë zone, por që pengohet nga portieri. Sulmuesi shqiptar nuk dorëzohet, por futet brenda zonës kundërshtare, duke tentuar sërish, por topi përfundon jashtë vijave kufizuese.

Goli për Shqipërinë vjen në minutën e 14-të, me sulmuesin Flavio Sulejmani, i cili realizoi një gol mjaft të bukur, ku i vetëm përballë portierit kundërshtar, e dërgoi topin mbi të dhe në fund në rrjetën zviceriane. Festë në kampin shqiptar, me kuqezinjtë që udhëheqin sfidën 1-0.

Nuk mungojnë rastet për Shqipërinë, teksa 10 minuta më vonë, Jordi Jaku provon nga jashtë zone por topi përfundon mbi traversë. Edhe Glenis Belloj provon me të djathtë e tij nga një distancë e largët, por nuk gjen rrjetën, me topin që përfundon jashtë zone.

Zvicerianët tentojnë rrjetën kuqezi, por portieri Amarildo Dervishi është pa dyshim, hero i pjesës së parë së bashku me autorin e golit, Flavio Sulejmani. Gardiani kuqezi bëri disa pritje spektakolare, duke shpëtuar Shqipërinë nga barazimi i mundshëm. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin 1-0 për Shqipërinë.

Kuqezinjtë e nisin pjesën e dytë aty ku e lanë, duke kontrolluar mirë topin e në përpjekje për të mbrojtur avantazhin. Trajneri Bulku bën zëvendësimin e parë në minutën e 56-të, me Devi Duron që zëvendëson Frederik Toskun. Duro bëhet menjëherë protagonist, ku pas një pasimi të saktë të Sulejmanit, del tek për tek me portierin shqiptar të Zvicrës, Muslijën, por ky i fundit grushton topin duke i mohuar finalizimin mesfushorit kuqezi. Në minutën e 64-t, trajneri Bulku vendos të zëvendësojë autorin e golit Flavio Sulejmani dhe në vend të tij hyn në lojë Tedi Malaj.

Alessandro Romano barazon rezultatin në minutën e 66-të, duke rikthyer baraspeshën në këtë ndeshje për Zvicrën. Numri 8 i miqve shënon pas topit të kthyer nga portieri Dervishi, i cili bëri një super pritje të Botelit, por nuk kishte asnjë shans të priste gjuajtjen e Romanos. Në minutën e 79-të, Jordi Jaku dhe Dean Vraniçin lënë fushën dhe në vend të tyre hyjnë Klejdi Marinaj dhe Klaus Kashari.

Rezultati i ndeshjes nuk ndryshon, me kuqezinjtë që ndalen në barazimin 1-1 me Zvicrën në këtë ndeshje të dytë të kualifikueseve të Europianit 2023. Ndeshja e tretë dhe e fundit është ajo kundër Letonisë, më 28 mars dhe është planifikuar të nisë në ora 17:00 në "Air Albania".

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli