
Rrjeti më aktiv i financimit të startup-eve, “Forumi Keiretsu” lançon kapitullin e ri në Tiranë
10 miliardë euro është shuma e parave që flenë në depozitat bankare të shqiptarëve. Kush i lë ato të flenë, marrin mbrapsht më pak se 1% interes çdo vit dhe nëse llogarisim çmimet që rriten, llogaria rezulton me humbje. Ndaj janë të shumtë ata që kërkojnë t’i investojnë këto fonde, duke parë alternativa si letrat me vlerë, fondet e investimit, apo pronat.
Nga ana tjetër, janë me qindra bizneset e reja inovatore në Shqipëri, që kanë premisa për t’u bërë kompani të mëdha dhe fitimprurëse, por nuk gjejnë dot akses në financim: qoftë përmes rrezikut të kredisë, apo përmes miqve dhe të afërmve që mund të duan të investojnë në këto startup-e.
Këtu puqen ata që kërkojnë të vënë në jetë paratë e tyre dhe ata që duan t’i japin jetë ideve të tyre.
KEIRETSU do të thotë GRUP dhe PARTNERITET
Forumi KEIRETSU, rrjeti global i investitorëve, po shtrihet këtë vit edhe në Shqipëri, pas një lançimi të suksesshëm në Kosovë. Qëllimi i këtij rrjeti është të bëjë bashkë investitorët e mundshëm më të mëdhenj në vendin tonë, me projektet që kanë potencialin më të madh për t’u rritur në treg. Më 23 qershor, sipërmarrës të konfirmuar nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara dhe nga Europa Juglindore, do të mblidhen për herë të parë në Tiranë, për të vlerësuar mundësitë që ofron pjesëmarrja në forum.
Keiretsu renditet si rrjeti më aktiv i investitorëve në Shtetet e Bashkuara dhe i dyti në botë, sipas vlerës së fondeve që investohen çdo vit në sipërmarrje të reja. Arsyeja pse “Angel Investors”, apo investitorët që financojnë startup-et, i bashkohen këtij rrjeti, është metodologjia e provuar në zgjedhjen e mundësive për biznes. Anëtarët e rrjetit prezantohen vazhdimisht me propozime nga sipërmarrje të reja, që kalojnë në filtrat striktë të Keiretsu. Forumi ngre një rrjet të madh partnerësh, vendos në dispozicion ekspertë që këshillojnë për investimin, ofron studime tregu dhe informacione të çmuara, që në total mundësojnë kthime të larta investimi.
Për bizneset e reja shqiptare, Keiretsu është një alternativë më avantazhuese se bankat, për faktin se mund të mbledhin kapital shumë më shpejt dhe në formën që u leverdis atyre: si për shembull në këmbim të një përqindjeje të aksioneve në kompani. Gjithashtu, të gjithë investitorët janë sipërmarrës të provuar, me burime financiare të mjaftueshme dhe me ekspertizë që mund të rrisë më shumë shanset e këtyre startup-eve për sukses. Në fakt, bizneset që marrin financim nga “angel investors” kanë 25% më shumë shanse të mbijetojnë pas katër vitesh dhe 20% më shumë shanse që të jenë zgjeruar në 75 punonjës.
PJESË E NJË RRJETI GJIGANT
Forumi Keiretsu është një rrjet global i kapitalit, burimeve dhe mundësive për biznes, i shtrirë në mbi 53 kapituj në 4 kontinente. Pjesa e filtrimit dhe analizës së investimeve, bëhet në mënyrë kolegjiale nga anëtarët, ku secili ka mundësi të mësojë nga njëri-tjetri. Anëtarët e Keiretsu Forum investojnë në një sërë fushash: 40% në kompani teknologjike, 30% në shkencat e natyrës, 20% në real estate dhe 10% në mundësi të tjera, si energjia, ushqimet, produktet e konsumit, media, etj.
KAPITULLI KEIRETSU NË EUROPËN JUGLINDORE
Rrjeti i ngritur në Prishtinë në vitin 2021, është sot lideri në investimin e kapitalit në Europën Juglindore. Me zgjerimin në Tiranë, Keiretsu synon të çlirojë një potencial të madh ekonomik për Shqipërinë, duke tërhequr sa më shumë “investitorë engjëj” dhe duke promovuar bashkëpunimin rajonal në Ballkan.
Ardian Hoxha, sipërmarrës dhe investitor me eksperiencë në fushën e telekomunikacionit, industrisë ushqimore, mallrave luksozë, arsimit, medias dhe argëtimit, është presidenti i kapitullit të Keiretsu për EJL. Ndërsa rrjeti ka anëtarë nga fusha të larmishme të sipërmarrjes.
Në Kosovë, më datën 14 prill 2022, u zhvillua Takimi i parë i Investitorë të Forumit, ku dhjetëra startupe dhe sipërmarrës bënë prezantimet e tyre para investitorëve engjëj.
AVANTAZHET PËR SHQIPËRINË
Aktualisht, startupet në Shqipëri e kanë thuajse të pamundur të aksesojnë financim në banka pa kolateral, ndërsa grantet e qeverisë shqiptare shkojnë në maksimalisht 1.5 milionë lekë për startup-et në fazën fillestare, 3 milionë lekë për startupet në fazën e rritjes dhe 5 milionë lekë për startupet në fazën e zgjerimit.
Në Keiretsu Forum Albania, këto limite nuk ekzistojnë dhe këto biznese mund të marrin të gjitha fondet që u nevojiten, së bashku me mbështetjen e anëtarëve të rrjetit.
Shqiptarët nuk janë të panjohur në botën e financimit të startup-eve, por janë detyruar të mbështeten në grupe të huaja kapitali. Nga Gjirafa, motori i famshëm i kërkimit; te Fresha, aplikacioni i suksesshëm për rezervimin e orareve në sallone në Mbretërinë e Bashkuar; Slice, aplikacioni që bashkon piceritë në Shtetet e Bashkuara; apo ArchiPro, platforma lider për arkitektët në Australi; të gjitha këto janë startupe të themeluara nga shqiptarë, që kanë marrë financime të huaja nga angel investors dhe sot janë kompani të suksesshme që gjenerojnë fitim.
Të tillë janë të shumtë shpikësit, programuesit apo sipërmarrësit e rinj shqiptarë që presin mundësinë për të financuar dhe vënë në jetë idetë e tyre. Keiretsu Forum do t’u mundësojë atyre një shans më të madh për të thithur fonde nga investitorë vendas, për të krijuar një vlerë të shtuar për ekonominë shqiptare. (A2 Televizion)