Pas një rritje prej 2.30 lekësh në fillim të javës, euro iu kthye përsëri rënies, teksa këtë të enjte kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë e fikson në vlerën e 112.38 lekëve. Sipas ekspertëve të tregjeve, forcimi i monedhës vendase pas zgjedhjeve vendore është shkaktuar më së shumti nga faktorë psikologjikë.
“Mund te jetë shkaktuar dhe nga faktori psikologjik. nëse pritshmëria nga pjesëmarrësi në treg është se euro do vazhdojë të forcohet atëherë ata mendojnë se nuk kanë pse të ekzekutojnë transaksione tani pasi mund të presë dhe disa ditë më shumë derisa euro të forcohet më shumë. Thjesht efekti psikologjik dhe pritshmëritë që krijohen i fryjnë zjarrit që rrit në mënyrë jo logjike të pabazuar në fondamente.”
Elvin Meka, ekspert për tregjet financiare
Alibia e përdorimit të fondeve në monedhë të huaj për financim të zgjedhjeve nuk ekziston sipas ekspertit Meka, por mund të jetë shkaktuar nga operatorë të tregut.
“Mund të ketë të bëjë me një kërkesë të shtuar të qeverisë për të blerë në monedhë të huaj për përmbushjen e kërkesave për shlyerjen e detyrimeve në monedhë të huaj. E dyta në mënyrë të vetëdijshme operatorë të caktuar në treg kanë stimuluar një ofertë më të madhe javën e kaluar të euros që të bjerë shpejt. E treta disa individë kanë marrë informacion për një lëvizje të madhe të valutës, kryesisht nga aktorë të mëdhenj ekonomik nuk përjashtohet dhe qeveria”.
Elvin Meka, ekspert për tregjet financiare
Sipas ekspertit të ekonomisë, Aldo Merkoçi fluksi i turistëve të huaj do të ndikojë në zhvlerësimin e mëtejshëm të euros në tremujorin e ardhshëm.
“Ajo çfarë shohim se janari dhe shkurti kanë pasur një rritje drastike të turistëve në 74-75% por kanë pasur zgjatje të ditëve në strukturat akomoduese. Kjo ka krijuar një presion të prurjes së euros në ekonomin tonë dhe respektivisht forcimit të lekut. Nuk do arrijnë nivelin 1 me 1 por presioni do të jetë i mjaftueshëm dhe do të kemi forcim të mëtejshëm të lekut.”
Aldo Merkoçi, ekspert ekonomie
Dy ditë para zgjedhjeve, euro preku vlerën e 110.6 lekëve duke u përkthyer në humbje në disa sektorë eksportues të ekonomisë. Sipas ekspertit Merkoçi, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave duhet të ndërhyjnë në normën bazë të lekut dhe blerjen e obligacioneve për të mbajtur një ekuilibër.
(A2 Televizion)