
Masat e prezantuara nga qeveria, si pezullimi i parapagimit të taksave dhe rimbursimi i shpejtë i TVSH-së, konsiderohen të pamjaftueshme nga eksportuesit.
Vetëm për një prej shoqatave, nga një xhiro vjetore prej rreth 100 milionë eurosh, grumbulluesit e bimëve medicinale llogarisin deri në 10% humbje vetëm për 3-mujorin e parë të vitit.
“Ne nuk ishim të kënaqur pasi nuk u realizuan kërkesat që duhet t’i jepnin më shumë mbështetje industrisë. Nga zhvlerësimi i euros ka një mungesë fitimi nga 8.5% deri në 10%. Kjo përqindje llogaritet për 3-mujorin e parë rreth 2.5 milionë euro që mungon në industrinë tonë. Të dyja monedhat, si dollari dhe euro, na kanë dhënë një goditje të njëjtë”, shprehet Filip Gjoka nga Shoqata e Industrisë së Bimëve Mjekësore.
Për kontratat porositëse me blerësit e huaj për vitin e ardhshëm, kompanitë eksportuese do të përpiqen të vendosin një klauzolë të hapur për kursin e këmbimit.
“Jam duke parë mundësinë diku 3% diku 5% në kontratat që kemi në vijim të rrisim çmimet, dhe në kontratat afatgjata që mund të mbyllim për 2024 jemi duke kërkuar që do ta lëmë në çmim klauzolën e euros dhe dollarit të hapur.”
Eksportuesit kërkojnë garanci më të forta, deri në ndryshimin e regjimit të kursit të këmbimit, nga regjim tregu në kurs fiks, si në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Eksportuesit do të vijojnë takimet në javët në vijim me Ministrinë e Financave dhe Bankën e Shqipërisë. (A2 Televizion)