Shqipëria në udhëkryqin e sezonit. Ndeshjet me Hungarinë dhe Poloninë do të jenë përcaktuese për fatin e kualifikueseve të Botërorit 2022. Ecuria do të varet nga rezultati i përballjes së parë në Budapest, në një stadium të mbyllur për tifozët.
Duke vlerësuar rëndësinë e ndeshjes dhe faktin që të jesh i pranishëm përveçse si pjesë e delegacionit është praktikisht e pamundur, në Federatën e Futbollit e kanë menduar mirë ta përdorin Kombëtaren për fushatë. 26 presidentë apo kryebashkiakë, drejtues të klubeve të Superiores dhe Kategorisë së Parë, u ftuan të jenë të pranishëm në këtë transfertë, natyrisht me fondet e federatës. Për këtë rast, më tepër se sa me futbollistë, avioni ishte i mbushur me kryetarë bashkie, madje ku disa kishin për shoqërues edhe bashkëshortin ose bashkëshorten.
Nga udhëtimi me çarter, te hoteli dhe prezenca në stadium. Përfaqësuesja është përdorur si mënyrë joshjeje për 26 përfaqësuesit e klubeve, të cilët do të votojnë në mënyrë direkte në Asamblenë Zgjedhore të muajit shkurt, ku do të votohet për presidentin e ri të federatës.
Fushata zgjedhore nis pikërisht në këtë mënyrë, me udhëtime jashtë vendit dhe prezencë në stadiume, ku gjithçka mbulohet nga shpenzimet e federatës. Një praktikë e tillë, u përdor edhe në ndeshjen e 4 shtatorit 2020 në Bjellorusi.
Në Minsk, drejtuesit e federatës ftuan presidentët e skuadrave elitare, duke i orientuar aty që të vendosej bojkoti i kampionatit, deri sa të plotësohej kushti për ligjin e sponsorizimeve. Bilanci i asaj lëvizjeje ishte shtyrja me tre muaj e startit të Kategorisë Superiore dhe asnjë marrëveshje me qeverinë. (A2 Televizion)