Goditja e turizmit, sektori me 384 mijë të punësuar

Nga A2 CNN
12 Tetor 2020, 20:04 | Ekonomi

Goditja që ka marrë turizmi nga pandemia e Covid-19 konsiderohet edhe një ndër arsyet e recesionit të fortë ekonomik që do të pësojë këtë vit Shqipëria. Fakt ky i vënë në dukje në raportet e FMN dhe Bankës Botërore, që për 2020-ën parashikojnë një rënie të ekonomisë sonë me mbi 7%.

Turizmi është një ndër sektorët kryesorë të ekonomisë, me një kontribut prej 8.5% në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe me rreth 384 mijë të punësuar direkt dhe indirekt. Ndërkohë që konsiderohet një ndër burimet kryesore të gjenerimit të valutës në qarkullim, me një fluks prej 1.9 miliardë euro në vit.

Janë me mijëra të punësuar që humbën vendet e punës, për shkak të paralizës që ka pësuar një pjesë e sektorit. Të dhënat zyrtare tregojnë se 60% e të punësuarve në turizëm janë në aktivitete e bareve dhe restoranteve, të cilat kanë qenë të mbyllura gjatë karantinës në muajt mars dhe prill. Nga ana tjetër, 30% janë në aktivitetet e hotelerisë dhe 10 % te operatorët turistikë dhe agjencisë, një tjetër segmenti i sektorit i goditur fort nga pandemia.

Për shkak të situatës së përgjithshme që ka shkaktuar pandemia, ndërprerjes së fluturimeve me shumë vende, por edhe pasigurive që ngjalli Covid-19 dhe krizës ekonomike që e shoqëroi atë, numri i turistëve u ul ndjeshëm. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, deri në gusht të këtij viti, në territorin shqiptar hyjnë 1,7 milionë shtetas të huaj, nga 4,8 milionë që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Tkurrja është edhe më e fortë nëse e krahasojmë me vitet e mëparshme, kur numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar, kryesisht për turizëm, ka qenë i konsiderueshëm.

Institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN e Banka Botërore, por edhe Këshilli Botëror i Turizmit i kanë rekomanduar qeverisë shqiptare që të marrë masa për të ndihmuar turizmin nëpërmjet një pakete të veçantë, e cila deri më tani ka munguar, pavarësisht kërkesave të përsëritura të operatorëve të tregut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos