
Ndonëse një festë aspak shqiptare, Halloween çdo vit e më shumë po përqafohet nga të rinjtë. Pas dy vitesh pandemi të rinjtë kanë zgjedhur të festojnë në baret e kryeqytetit. Dhe në ditën e rikthimit të shpirtrave të vdekur nuk mund të mungonte kurrsesi përpjekja për t’u dukur si faraonesha e fundit Egjiptit të Lashtë, Kleopatra... duke festuar në shoqërinë e këngëve të Anila Mimanit.
Ndërsa një i ri i veshur si Xhokeri, një miks simbolokash që pikë të përbashkët takimi kanë “mirësinë që do të shpëtojë botën” e ka për herë të parë festën e Halloween dhe dëshira më e madhe është të gjejë sa më shumë bashkëmoshatarë.
Rrugicave të ish-Bllokut, vlerësuar si epiqendra e jetës së natës takojmë edhe Lisa An dhe Marijanan, dy motra gjermane që ankohen se nuk shohin shumë kostume të dedikuara Halloween-it, ndërsa tregojnë edhe për kontrastin e fortë të festimeve në Gjermani e Shqipëri.
“Mendoj se ka më shumë gjallëri këtu sesa në Gjermani. Është thjesht shumë. Ka më pak njerëz të veshur me kostume, por shumë më tepër muzikë e dekore”, thotë Lisa An. “Në Gjermania festimet bazohen më së shumti te kostumet. këtu nuk është se shikoj shumë njerëz të veshur me kostume për Halloween. Në Gjermani gjithashtu ka shumë më pak dekorime ndërsa këtu krejt e kundërta, baret janë tërësisht të dekoruara me kunguj e të tjerë aksesorë që simbolizojnë Halloween-in. Vëren goxha diferencë”, tha Marijana.
Globalizimi, kombinuar me komercializimin mund të kenë efekte në shumë sektorë, por padyshim një ndër to është përhapja e festave, të cilat pa kontekste kulturore ose historike, përqafohen kudo. Dhe Halloween është shembulli më i mirë. (A2 Televizion)