Hiqej si zyrtar i lartë dhe i kërkoi 70 mijë euro një biznesmeni në Tiranë, pranga 52-vjeçarit

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 09:34 | Kronikë
Hiqej si zyrtar i lartë dhe i kërkoi 70 mijë euro një

Një tjetër biznesmen ka rënë pre e mashtrimit në rrjetet sociale, ku një person që hiqej si zyrtar i lartë ka tentuar që t’i marrë 70 mijë euro.

Në kuadër të operacionit të koduar “Arkitekti”, mësohet se është vënë në pranga 52-vjeçari Shpëtim Hida, i cili ka arritur të mashtrojë biznesmenin, identiteti i të cilit nuk dihet ende, nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ai është arritur që të kapet në flagrancë teksa po merrte eurot, e ndërsa dyshohet se kjo nuk është hera e parë që vinte në zbatim këtë skemë. Ka dyshime se ai ka mashtruar edhe biznesmenë të tjerë në komunikimet në rrjetet sociale, duke i kërkuar para atyre, pasi iu prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.   

Kjo skemë është shumë e njohur pasi ka nisur që të zbatohet nga grupe të ndryshme kriminale. Nga janari e deri më tani janë zbuluar 5 raste, përfshirë edhe ngjarjen e sotme, nga ku për këto krime u arrestuan 11 persona, pjesa më e madhe e të cilëve kishin role dytësore në mashtrim.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin e vlerave të konsiderueshme monetare.

Operacioni i radhës, i koduar “Arkitekti”, në vazhdën e 4 operacioneve të tjera të finalizuara gjatë 5 muajve të fundit, pas informacioneve të siguruara nga Policia përmes inteligjencës informative dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të denoncuar raste të tilla.

Vihet në pranga një 52-vjeçar që u kap në flagrancë duke i marrë me anë të mashtrimit, 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen).

52-vjeçari përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.

Sekuestrohen 70 000 euro, një automjet dhe një aparat celular.

Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar dhe finalizuar me sukses një tjetër operacion për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë operacionit policor të koduar "Arkitekti", shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Sh. H., 52 vjeç, banues në Tiranë, gjatë kohës që po i merrte shumën 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen), të cilin e kishte mashtruar në komunikimet në rrjetet sociale, duke iu prezatuar si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Shuma 70 000 euro u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet dhe një aparat celular.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 52-vjeçari ka mashtruar edhe shtetas të tjerë, në komunikimet në rrjetet sociale, duke i kërkuar para atyre, pasi iu prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror.

Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.

Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli