“Nuk ka qenë në traditat e Partisë Demokratike një garë e ndershme, e hapur”. Kështu u shpreh ish-kandidati për kreun e PD, Gjergji Hani në A2 CNN disa ditë pas zgjedhjeve brenda PD zyrtare që rikthyen në drejtim Lulzim Bashën.
Sipas Hanit, zgjedhjet brenda demokratëve kanë qenë gjithnjë të paracaktuara dhe shumë anëtarë për vite me radhë i kanë pranuar këto vendime në heshtje.
“Ishte një rezultat i pritshëm ai i zgjedhjeve për kreun e PD. Nuk ka qenë në traditat e Partisë Demokratike një garë e ndershme e hapur, ka qenë gjithnjë e paracaktuar. Një pjesë e demokratëve i kanë pranuar këto vendime duke mbyllur hundët. Për mua ishte një kryengritje morali, kanë humbur identitetin”, tha Hani.
Më tej, Gjergji Hani shpjegon se nuk kishte kushte të barabarta për të garuar përballë Bashës, të cilin e fajëson për humbjen e identitetit të Partisë Demokratike.
“Nuk arrita të organizoj takime. Ato i organizon struktura që bën fushatën. Strukturat ishin të njëanshme. Është një praktikë pune normale. Kur i shërben një njeriu për 12 vjet krijon një empati një lidhje shpirtërore. Ata bënë atë që dinin të bënin më mirë. Unë e dija. Unë nuk hyra në garë për të legjitimuar Bashën. Unë e bëj përgjegjës Bashën për humbjen e identitetin e PD dhe humbjet për 10 vjet radhazi përballë Ramës”, përfundoi Gjergji Hani. (A2 Televizion)