I denjë për “Mbretin”, varri i artë i Pelesë në varrezën më të lartë në botë

Nga A2 CNN
16 Maj 2023, 16:32 | Futboll

U quajt gjithë jetën “O Rey” - “Mbreti” dhe do të vazhdojë të quhet i tillë edhe pasi ndërroi jetë. Legjenda e futbollit botëror, Pele, është nderuar nga shteti brazilian me një varr të denjë për një mbret, të bërë prej floriri dhe të vendosur në varrezën më të lartë në botë, në Santos.

Mauzoleu i tij u vendos në katin e dytë të godinës 14-katëshe dhe prej të hënës së kaluar u hap për publikun dhe mijëra vetë u dyndën për të bërë homazh ndaj idhullit të tyre, edhe pse jo të gjithë mundën të futeshin. Në dyert e godinës tifozët e Pele u mirëpritën nga dy statuja të arta të 3-herë kampionit të botës të mbuluar me flamujt e Santosit dhe Brazilit.

Muret e mauzoleu janë zbukuruar me foto tifozësh në stadium, madje edhe tavani është dekoruar. Në qendër të dhomës është vendosur varri i artë i Pele, i dekoruar me gravura që tregojnë skenat më të paharruara të tij.

Djali i Pele, Edson Cholbi do Nascimento tha për gazetarët: “Kjo është bërë me shumë dashuri nga njerëz që e njihnin dhe jetuan me të. Është thelbi i asaj që ai ishte”.

Varri mund të vizitohet nga vetëm 60 persona në ditë, duke prenotuar online në faqen e varrezës.

Edson Arantes do Nascimento vdiq më 29 dhjetor të vitit të kaluar në moshën 82-vjeçare, pas një beteje të fortë me kancerin. Ai është i vetmi lojtar që e ka fituar 3 herë Kupën e Botës. Ai pretendonte se kishte realizuar 1283 gola gjatë karrierës së tij, por sipas “Guinness World Records” ai ka realizuar 1279 gola. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos