Çiftet e reja kanë hequr dorë nga dëshira për të pasur fëmijë dhe kanë rritur dëshirën për kafshë shtëpiake. Kjo deklaratë e Papa Françeskut ka nxitur debatin në studion e Dita Jonë mes pastorit Ylli Doçi dhe animalistes Jonida Çobani Gjoka.
Sipas pastorit fëmijët janë garancia e së ardhmes së një shoqërie dhe se asnjë kafshë shtëpiake nuk mund të zëvendësojë rolin e tyre.
"Nëse thua 'nuk do të kem fëmijë, por do të kem qen', kjo është absurde. Nuk po ngre qenin apo macen, por po ul vlerën e njeriut. Është mungesë përgjegjësie për të bërë pjesën tënde si pjesëtar i shoqërisë", tha ai.
Nga ana tjetër, animalistja Jonida Çobani Gjoka theksoi se nuk bëhet fjalë për zëvendësimin e një fëmije me një kafshë, por për barrën gjithnjë e më të madhe që përballojnë çiftet e reja. Sipas saj, kostoja ekonomike e rritjes së një fëmije, mungesa e mbështetjes nga familja e zgjeruar dhe emigrimi kanë bërë që shumë çifte të hezitojnë të krijojnë familje.
"Nuk bëhet fjalë ëpr zëvendësim. Asnjëherë një qen nuk mund të zëvendësojë kurrë një fëmijë. Problemi është pesha e madhe e përgjegjësisë që kanë sot çiftet e reja. Është një shprehje që thotë që të rritësh një fëmijë duhet një fshat i tërë, sepse fëmija ka nevojë jo vetëm për nënën dhe babanë, ka nevojë edhe për pastorin, edhe për komshiun, edhe për gjyshërit, edhe për fisin, tezet. Por tani kjo farefisni është diku larg në Gjermani apo në Amerikë dhe nuk mund të arrihet ajo mbështetje që ka patur një çift më përpara”, theksoi ajo.
I pyetur në lidhje me kujdesin për fëmijët, i cili po u besohet gjithnjë e më shumë kujdestareve të huaja, ndërsa shumë gjyshër kujdesen për kafshët shtëpiake të fëmijëve të tyre, pastori u përgjigj: “Unë jam i sigurt që gjyshërit nuk e bëjnë me nga qejfi këtë punën e kafshëve. Janë të detyruar nga fëmijët e tyre që kanë nevojë vendim. Por ne i duam kafshët. Me thënë të drejtën është fisnikëri me i dash kafshët dhe me u kujdes për kafshët, por jo në një mënyrë që ë zëvendëson apo ul vlerën e qenies njerëzore. Pra është e vërtetë është rritur përgjegjshmëria ose më mirë me thënë kostoja e përgjegjshmërisë për të rritur fëmijët dhe këtu duhet shoqëria të ndihmojë”. (A2 Televizion)