Sikur të mos mjaftonin dëmet që po shtohen vit pas viti si pasojë e ndryshimeve të kushteve klimatike, fermerët e fushës së Maliqit këtë vit janë goditur edhe nga insektet, të cilat kanë dëmtuar dhjetëra hektarë të mbjellë me misër.
Përgjegjësi i Sektorit të Bujqësisë në Bashkinë e Maliqit konfirmon situatën e rëndë me këtë kulturë bujqësore dhe marrjen e masave për të shmangur dëme të mëtejshme.
Ndërkohë, institucionet janë në pritje të ndërhyrjes, ndërsa për fermerët kjo është një situatë e përsëritur edhe në vitet e kaluara. Sipas tyre, masat duhej të ishin marrë më shpejt, pasi dëmi i shkaktuar është i madh.
Vonesa në ndërhyrjen për luftimin e këtij insekti shkakton dëme të mëdha për çdo ditë që kalon dhe rrezikon përhapjen e tij edhe në sipërfaqe të tjera të mbjella me misër. (A2 Televizion)