Ishulli i Sazanit, një nga vendet më të izoluara dhe më misterioze të Shqipërisë, mund të shndërrohet në një prej destinacioneve më luksoze të Mesdheut. Pikërisht këtu, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, së bashku me investitorë të tjerë ndërkombëtarë, planifikojnë ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë miliarda euro.
Por përpara se turistët të shijojnë plazhet dhe natyrën e këtij ishulli, ekziston një problem shumë më serioz. Sazani mbart ende plagët e historisë së tij ushtarake. Në tokë dhe nën ujë ndodhen mina dhe municione të pashpërthyera, të mbetura nga dekada të tëra militarizimi.
Pamjet e siguruara nga Reuters tregojnë predha të pashpërthyera të shtrira 18 metra nën sipërfaqen e detit. Zhytësi Pajtim Shpata, i cili monitoron shpesh zonën, ka filmuar një numër të madh mjetesh shpërthyese që vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Në brigjet e ishullit, eksplozivët janë po aq pranë sipërfaqes. Predha artilerie dhe municione të ndryshme gjenden vetëm pak metra larg zonave ku turistët mund të lëvizin. Sipas ish-kapitenit të Marinës Shqiptare, Artur Meçollari, problemi është shumë më i madh sesa duket.
“Vija bregdetare e ishullit, që është rreth 15 kilometra e gjatë, është e kontaminuar në shtatë apo tetë zona. Përgjatë bregut dhe deri në një thellësi prej 10 metrash ndodhen municione dhe mina. Kryesisht bëhet fjalë për predha artilerie 75 milimetërshe”, shprehet Meçollari.
Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai u kontrollua nga Italia, ndërsa pas luftës kaloi nën administrimin e shtetit shqiptar.
Në periudhën komuniste ishulli u kthye në një bazë të rëndësishme ushtarake. Frika e regjimit nga një pushtim i huaj solli ndërtimin e mijëra bunkerëve, tuneleve dhe objekteve ushtarake. Sipas Artur Meçollarit, në ishull ndodheshin rreth tre mijë bunkerë dhe mbi pesë mijë ushtarakë e civilë që shërbenin në këtë bazë. Edhe sot, nga ajri dallohen qartë ndërtesat e braktisura, tunelet, pozicionet ushtarake dhe bunkerët që kujtojnë periudhën e Luftës së Ftohtë. Por trashëgimia më e rrezikshme nuk është ajo që shihet mbi tokë, por ajo që vazhdon të fshihet nën të. Qeveria shqiptare ka zhvilluar ndër vite disa operacione për pastrimin e ishullit nga eksplozivët. Megjithatë nuk dihet zyrtarisht sa zona mbeten ende të papastruara. Për Artur Meçollarin, siguria nuk mund të kufizohet vetëm në sipërfaqen ku parashikohet ndërtimi i resortit.
“Mund të garantohet siguria në 45 hektarët ku do të ndërtohet resorti, por turistët janë njerëz të lirë dhe do të lëvizin në të gjithë ishullin. Ata kanë nevojë për siguri në të gjithë territorin. Kjo do të thotë se çminimi është i domosdoshëm jo vetëm për 650 hektarët e tokës së ishullit, por edhe për të gjithë vijën bregdetare prej 15 kilometrash. Është një ndërmarrje e jashtëzakonshme”, vijon Meçollari.
Rreziku nuk ndodhet vetëm në det. Edhe në brendësi të ishullit shihen tabela paralajmëruese për mina. Vizitorëve u kërkohet të mos dalin nga shtigjet e përcaktuara dhe të mos futen në bunkerë apo tunele. Megjithatë, çdo vit qindra turistë vizitojnë ishullin për disa orë. Disa eksplorojnë ndërtesat e braktisura, të tjerë bëjnë ecje në natyrë ose ndalojnë në plazhin pranë portit, ku makineritë e ndryshkura dëshmojnë të kaluarën ushtarake të Sazanit. Ndërtesat e dikurshme të ushtrisë vazhdojnë të qëndrojnë pothuajse të paprekura nga koha. Mes tyre ndodhet edhe shkolla “22 Tetori”, ku dikur mësonin fëmijët e personelit ushtarak. Sot, korridoret bosh dhe dokumentet e mbetura në dysheme tregojnë historinë e një ishulli që për dekada ishte plotësisht i mbyllur për publikun. Por projekti i resortit nuk ka ngritur vetëm pikëpyetje për sigurinë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters. Një tjetër zonë ku Jared Kushner dhe investitorë të tjerë planifikojnë të ndërtojnë një resort luksoz përfshin fshatin Zvërnec, që ndodhet përballë ishullit.
Ai ka shkaktuar edhe kundërshtim të fortë nga banorët dhe aktivistët e mjedisit, të cilët druhen se zhvillimi turistik do ta kufizojë aksesin publik dhe do të ndryshojë përgjithmonë karakterin e ishullit.
Sipas aktivistit Kosta Xhaho ndërtimi i resortit mund të kufizojë hyrjen në të vetmen zonë lehtësisht të aksesueshme të ishullit.
“Nuk do të mund të vijmë më këtu, sepse kjo është e vetmja hyrje që ka ishulli. Është pjesa më e rëndësishme e tij. Nëse bllokohet kjo zonë, atëherë i gjithë ishulli bëhet i tyre, jo më i yni”.
Gjatë muajit të fundit, mijëra qytetarë kanë protestuar çdo mbrëmje në Tiranë, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit thonë se investimi në Zvërnec do të dëmtojë mjedisinm do të largojë mijëra flamingo dhe do të rrezikojë mbijetesën e breshkave të detit. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti do të vazhdojë dhe se do të realizohet duke respektuar pronarët e tokës, mjedisin dhe biodiversitetin.
Kështu, përballë Shqipërisë ndodhen dy realitete krejt të ndryshme.
Nga ana tjetër, një territor që ende ruan gjurmët eLuftës së Ftohtë, me mina, bunkerë dhe municione të pashpërthyera, ndërsadebati për të ardhmen e tij vazhdon të ndajë politikën, ekspertët dhe opinioninpublik. (A2 Televizion)