12 të plagosur dhe 1 viktimë ishte bilanci i aksidentit tragjik të një dite më parë në autostradën Tiranë–Durrës.
Ditën e sotme është përmirësuar gjendja shëndetësore e shumë prej të plagosurve, shkruan A2 CNN. Sipas informacioneve zyrtare nga Spitali i Traumës, tashmë 6 prej tyre kanë lënë spitalin dhe po trajtohen në banesë.
Edhe pacientët që ishin në gjendje të rëndë dhe iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale kanë shënuar përmirësim. Katër prej tyre kanë dalë nga reanimacioni dhe janë shtruar në pavione, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, vijon të jetë kritike gjendja shëndetësore e 8-vjeçarit të intubuar dhe e turistes 56-vjeçare, me nënshtetësi çeke dhe origjinë vietnameze. Të dy kanë pësuar dëmtime të shumta si pasojë e përplasjes me barrierën metalike.
Nga aksidenti tragjik i një dite më parë humbi jetën drejtuesi i furgonit të linjës Berat–Tiranë. (A2 Televizion)